...
Një dokument i publikuar nga Kapitali, ku Edi Rama udhëzonte deputetët dhe partinë se si duhet të reagonin publikisht për protestën, ka krijuar shqetësime dhe tension brenda Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Pas publikimit të lajmit, kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ka kërkuar në grup-chatin e deputetëve që të mos rrjedhin në media dokumentet e brendshme.
Me një fjalor tipik nga kohërat e hershme të Partisë së Punës, zoti Balla ka kërkuar disiplinë të brendshme.
“Shoqe dhe shokë, materialet që ndahen këtu për narrativën janë për përdorim të brendshëm, jo për t’u ndarë me palë të tjera”, shkruan Taulant Balla.
Me shqetësim për këtë situatë shkruan edhe drejtoresha e Komunikimit të Edi Ramës, Jonida Shehu.
“Unë kam menduar që ju vlejnë këto materiale për linjë, se për media i shpërndaj vetë, s’kam nevojë për këtë lloj shkathtësie. Megjithatë, faleminderit shumë për lehtësimin”, shkruan Shehu.
Shqetësimit në formë proteste i është bashkuar edhe Zamira Sinaj, deputetja e re socialiste e Vlorës, e cila kaloi ylberin dhe nga Partia Demokratike iu bashkëngjit PS-së.
Zonja Sinaj ka një lidhje të fortë me punët e bregdetit, si deputetja që propozoi ligjin e turpshëm për të dhënë portet turistike pa garë te oligarkët.
“Nëpër portale është bërë lajm para se (udhëzimi) të shpërndahej te grupi, gati tre orë më parë”, shprehet Sinaj, thuajse me të njëjtat tone shqetësimi dhe proteste si atëherë kur ishte në çadrën e Lulzim Bashës.
Për shkak të kësaj situate të tensionuar, në debat ka pasur edhe fërkime mes zonjës Shehu dhe zonjës Sinaj. Shkak për këtë është bërë përdorimi i pasthirrmës “moj” nga Shehu kundrejt Sinajt.
“Ju lutem drejtohuni me etikë, pasi jemi deputetë të zgjedhur dhe jo moj dhe ore. No comment”, shkruan Sinaj, e revoltuar me Shehun.
Në këto përplasje, që po cenonin unitetin e partisë, nuk mund të mungonte Ardit Bido, deputeti patriot i Sarandës, i cili në protestën e Zvërnecit ka marrë detyrën për të demaskuar agjenturat greke.
“Ju lutem diskutimet kalojini në privat. Njoftimet të mbajmë këtu dhe udhëzimet”, shkruan Bido.
Vulën debateve ua ka vënë deputeti tjetër riosh i socialistëve, Erion Malaj. Ky njihet si deputeti vizionar, i cili propozoi krijimin e SHA-së që do të bëjë tenderat e IT-së, por që më pas nuk e kujtonte se çfarë kishte propozuar.
“Mendoj që problemet dolën. I qëndrojmë atyre që thamë më sipër dhe bëjmë pak kujdes“, shkruan Malaj.
Siç duket nga debatet, më të shqetësuarit për rrjedhjen e informacionit dhe më të prekurit në dinjitet nga kjo janë deputetët që përdoren për të propozuar ligjet e plaçkitjes dhe ata që ngrenë kartonin si robotë, duke votuar çdo nismë të mbrapshtë që u kërkohet, pa guxuar të bëjnë asnjë pyetje./Kapital


