... Nami.al

“Flamingot erdhën kur qeverinë e mora unë” – Rama i përgjigjet gazetares së huaj: Nuk më jep dot askush leksione mua për mjedisin

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me gazetarë dhe përfaqësues të mediave nga vendet e Bashkimit Europian, të cilët kanë ardhur në Tiranë nisur nga interesi i madh ndërkombëtar që ka zgjuar protesta qytetare, e nisur fillimisht për Zvërnecin.

“Përse nuk e mbani Zvërnecin, ashtu, special”, ishte pyetja që një gazetare e huaj i drejtoi kryeministrit, për të theksuar se jo detyrimisht mund të jepet leje për resort në atë zonë?

Përgjigja e Edi Ramës ishte se tashmë Shqipëria ka nevojë për turizëm elitar, jo për turizmin masiv që është zhvilluar vitet e fundit, sepse ai nuk sjell të ardhura dhe efekti negativ në mjedis është shumë më i madh se përfitimet.

“Shihni Malin e Zi, shihni Malin e Zi. Ata nuk kanë bujqësi dhe shumë nga malazezët atë që konsumojnë e marrin nga Shqipëria. Ata nuk kanë fabrika, nuk kanë asgjë përveç turizmit. Prej vitesh ata kanë pagat dhe pensionet më të larta në rajon. Sepse e sollën turizmin në nivelin e turizmit të luksit.

Turizmi luksoz është ai që e mbron një vend nga ajo çfarë mund t’i shkaktojë turizmi masiv. Por nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë, na duhet turizëm luksoz për të ndryshuar shkallën e të ardhurave dhe për të ulur trysninë që turizmi ka mbi mjedisin”, u shpreh ai.

Edi Rama vijoi më tej duke theksuar se flamingot dhe pelikanët në lagunën e Nartës erdhën vetëm pasi socialistët dhe ai në krye të tyre, morën pushtetin në vitin 2013. Kryeministri u tha gazetarëve europianë se qeveria e tij kishte shtuar hartën e zonave të mbrojtura, ndaj askush nuk mund t’i jepte leksione.

“Flamingot, a e dini kur nisën të ktheheshin? Kur unë erdha në qeveri, atje nuk kishte flamingo dhe Shqipëria kishte gjuetinë e paligjshme. Flamingot dhe pelikanët nisën të ktheheshin kur ne e shpallëm gjuetinë të paligjshme për 10 vjet, edhe moratoriumin e pyjeve.

Askush nuk mund të më jap mua leksione për mjedisin. Ne krijuam hartën e parë të Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë në 2017. Të parin Regjistër dhe të parin Inventar. Ne e gjetëm Shqipërinë me më pak se 15% të zonave të mbrojtura dhe tani kemi 25%.

Në 2024 bëmë ndryshime për të specifikuar çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet në kategoritë e ndryshme të mbrojtjes, sepse nuk ka vetëm një kategori të mbrojtjes. Vjosa, Narta janë të mbrojtura, nuk po preken dhe nuk do të preken”, përmbylli Edi Rama, kryeministër.