... Nami.al

Detaje mbi pengmarrjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi/ Policia identifikon autorët, ende nuk dihet ku është i riu! (Emrat)

Një 35-vjeçar, Eglant Koçi u zhduk pa lënë gjurmë mesditën e 4 qershorit në Tiranë pranë sheshit “Wilson”.

Familjarët e tij kërkuan ndihmën e policisë pasi Koçi nuk iu përgjigj thirrjeve në telefon.

Sakaq, Prokuroria e Tiranës nisi një hetim lidhur me këtë rast, teksa ka dyshime për rrëmbim personi.

Sot është arrestuar nga policia, Enea Zyferi, i cili dyshohet nga hetimet se ka përkrahur autorin e krimit Armand Shakaj në rrëmbimin e Koçit.

Motori i Eglant Koçit me të cilin udhëtonte deri para se të humbte gjurmët, u gjet dy ditë më vonë te rruga 5 maji në Tiranë.

Eglant Koçi ishte postieri që shkonte në pikat e këmbimit për të këmbyer kriptomonedhat me para cash.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Vijojnë hetimet intensive për gjetjen e shtetasit E. K., 34 vjeç, i denoncuar nga familjarët si i humbur.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim policor 41-vjeçari që dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Arrestohet një 25-vjeçar, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e shtetasit E. K., 34 vjeç, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.

Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.

Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.

Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.

Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K.

Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit.

Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve.