...
Ligji për investimet strategjike nuk do të ekzistojë më. Lajmin e dha kryeministri Rama, gjatë një konference me gazetarë nga Bashkimi Europian, kur u pyet nëse do të respektojë kushtet e vendosura në raportin IBAR për këtë çështje.
Ai bëri me dije se po punojnë me BE-në për të krijuar një ligj të ri për investimet strategjike.
“Ligji për investimet strategjike nuk ka qenë kurrë i padrejtë. Shumë njerëz që flasin për të as nuk e dinë për ç’flasin po gjëja e mirë është që do ta lëmë jashtë se e ka përmbushur misionin e vet dhe nuk ka rëndësi. Nuk është se po luftojmë për të, thjesht do ta lëmë jashtë. Ligji për investimet strategjike na kanë ndihmuar të sjellim në këtë vend më në fund disa investime që përndryshe nuk do të kishin ndodhur. Tani nuk na duhet më në ligj për investimet strategjike se kapitali po hyn dhe investuesit e mëdhenj po vijnë. Në fakt nuk duan t’ia dinë për lehtësira. Duan natyrisht status të mbrojtur por nuk kemi probleme me këtë. Është pjesë e kuadrit negociator dhe po punojmë për një ligj të ri për investimet, po punojmë me BE. Çdo gjë që bëjmë mbështetet te standardet e BE”, tha Rama.
Duke iu referuar investimit në Zvërnec, Kryeministri nguli këmbë se bota ka plot shembuj të bashkëjetesës mes natyrës dhe zhvillimit.
Për Edi Ramën, çështja u fry për shkak të emrit të Donald Trump.
I pyetur për Sazanin, Rama pohoi se po negocion prej dy vjetësh me investitorët, por përjashtoi idenë e shitjes së ishullit.
Kryeministri shpjegoi se nuk do të heqë dorë nga vizioni i tij për të thithur kapital dhe investime madhore që do të ndihmojnë zhvillimin e vendit, por nënvizoi bindjen se nuk mund të konkurrojë duke shpërfillur natyrën.