...
Dalin pamjet nga fabrika e prodhimit të skafeve në Fllakë të Durrësit ku shihen pasojat e rënda të zjarrit tragjik që i mori jetën një punonjësi të huaj dhe la të plagosur një tjetër.
Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00, në ambientet e magazinave të subjektit me administrator shtetasin S. M., në zonën e Fllakës, në Sektor Rinia.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi në ambientin e kuzhinës, ku punonjësit e huaj jo vetëm gatuanin, por edhe flinin. Në momentin e shpërthimit, ata ndodheshin në gjumë.
Për pasojë, një i ri ka humbur jetën nga asfiksia, ndërsa një tjetër është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Pamjet nga vendngjarja tregojnë se ambienti është shkrumbuar pothuajse plotësisht nga flakët.
Burime paraprake bëjnë me dije se punonjësit e huaj ishin të pajisur me kontrata të rregullta pune, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.



