...
Gjykata e Lartë i ka dhënë dritë jeshile ekstradimit në Gjermani të një shtetasi izraelit të arrestuar në Tiranë në shkurt të vitit 2025.
42-vjeçari Roy Garin, me shtetësi izraelite dhe kanadeze, i njohur edhe me emrat Michael Finkle, Mike dhe Jean Meringac, kërkohet nga drejtësia gjermane si kreu i një grupi mashtruesish kibernetikë.
Sipas urdhër-arrestit të lëshuar ndaj tij nga Gjykata e Bamberg, në Gjermani, në periudhën 2015-2022 ky grup dyshohet të ketë mashtruar gati 288 qytetarë përmes investimeve, duke iu shkaktuar një dëm prej gati 26 milionë euro.
Pas rrëzimit të pretendimeve për mosekstradim nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli, së fundi Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e bërë nga 42-vjeçari, duke i hapur kështu rrugë ekstradimit të tij drejt Gjermanisë.
Në të tre shkallët e gjyqësorit, Garin ka pretenduar se në rast ekstradimi rrezikonte një trajtim çnjerëzor dhe diskriminues në Gjermani për shkak të prejardhjes së tij hebreje. Përmes avokatit, Garin i është referuar raportit të RIAS 2024, sipas të cilit dokumentoheshin 8600 incidente antisemitike për gjysmën e parë të vitit dhe një rritje e sulmeve ndaj personave me identitet hebre.
Gjykatat e tre shkallëve kanë arsyetuar se antisemitizmi përbënte një formë urrejtjeje e diskriminimi ndaj hebrenjve, por nuk lidhet me qëndrimet e qeverisë ose gjyqësorit gjerman.
Sipas arsyetimit të Shkallës së Parë dhe të Apelit, të vlerësuara si të drejta nga Gjykata e Lartë, nuk ka raporte ose vendime të gjykatave ndërkombëtare që të evidentojnë shkelje nga autoritetet gjermane në këtë drejtim.
Në lidhje me raportin RIAS, gjykatat vlerësonin se ai përbënte vetëm një instrument monitorimi dhe jo provë të shkeljeve sistematike të të drenjave të njeriut.