...
Kryedemokrati Sali Berisha iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se jo opozita, por përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare e panë realitetin shqiptar dhe kuptuan se nuk është ai që paraqet kryeministri.
Sipas kreut demokrat, raportin IBAR nuk e shkruajti Partia Demokratike, por grupi teknik i Këshillit Europian, COELA.
“Jam edhe një herë shumë mirënjohës vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të cilat ç’është e vërteta rishkruan ose amenduan atë raport me të gjitha problemet madhore që përballet sot Shqipëria, duke paraqitur në këtë mënyrë realitetin shqiptar jo ashtu siç e mashtron, siç e trillon Edi Rama dhe siç e paraqesin lobistët e korruptuar të tij, por ashtu siç është në të vërtetë. Dhe unë ju informoj ju se, COELA, grupi i punës që miratoi Ibarin, erdhi në Shqipëri me 27 përfaqësues të 27 vendeve anëtare, i konstatoi gjërat në vend. U bind se këtu zgjedhjet janë një farsë e vërtetë, u bind se drejtësia është në një presion dhe kontroll të madh dhe se Edi Rama mbron korrupsionin dhe nuk lejon drejtësinë të ndëshkojë në kundërshtim me kushtetutën. U bind se parlamenti nuk ka rolin që duhet të ketë në procesin e integrimit. U bind se ekonomia është ekonomi klienteliste dhe jo ekonomi e lirë tregu siç ishte paraqitur nga Edi Rama. Pra, mund të them se pas këtij raporti, realiteti shqiptar në Bruksel është krejt tjetër nga ai që mashtron Edi Rama dhe kjo është një arritje e madhe për çdo shqiptar. Sigurisht, edhe për opozitën shqiptare, mbasi qëndrimet e saj përputhen plotësisht me qëndrimet e institucioneve më serioze të Bashkimit Europian”, tha Berisha.
Rikonfirmimin përmes referendumit për të mbajtur drejtimin e Partisë Demokratike, Sali Berisha e komentoi përmes një postimi në rrjetet sociale si fitore ndaj Edi Ramës dhe socialistëve, të cilët ai i akuzon se ndryshe nga forca e tij politike, nuk bëjnë zgjedhje.
“Në Shqipëri janë dy parti të mëdha. Partia Demokratike i zgjedh drejtuesit bazuar në demokracinë direkte dhe voton me parimin ‘një anëtar, një votë’ në çdo proces zgjedhor. Kurse PS-ja, apo partia e krimit, ka zëvendësuar votën e anëtarëve me emërimin dhe fuqinë e krimit. Kjo parti prej 17 vitesh nuk voton kurrë për kryetarin dhe për asnjë forum tjetër të saj. Kurse PD-ja çdo katër vite zgjedh kryetarin dhe drejtuesit vendor e kandidaturat për deputet bazuar në demokracinë direkte (referendum)!”
Berisha mori kohë për t’u shpjeguar atyre që e akuzojnë, e që sipas tij janë të sponsorizuar nga Edi Rama, se ai nuk e ka privatizuar Partinë Demokratike.
“Duke lënë mënjanë modestinë, Edi Rama, narkomafia qeveritare dhe mafia e mediave që ai kontrollon, dëshmuan frikën dhe tmerrin e tyre nga Sali Berisha. Për këta të pafytyrë, vota referendare e të gjithë anëtarësisë për kryetarin e partisë opozitare është ‘privatizim i partisë nga kryetari’ apo në rastin konkret ‘Berisha zgjedh Berishën’. Ja pse për Edi Ramën dhe të gjithë këtë hordhi puthadorësh e mafiozësh që gromësijnë dhe zhgërrehen në luksin dhe paratë që u vjedhin shqiptarëve, vota e rreth 40 mijë demokratëve dje ishte një tmerr dhe ferr i vërtetë; ishte dështim dhe turpërim publik (por ata turp nuk kanë). Kurse për shqiptarët, ajo ishte vota e triumfit të dinjitetit të tyre mbi mafian më të rrezikshme të Europës”.