... Nami.al

Aksidenti me një të vdekur në Shkodër, lihet në burg shoferi

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Adnan Galica, i dyshuar si shkaktar i aksidentit tragjik të ndodhur pak ditë më parë në Shkodër, ku humbi jetën 62-vjeçari Shkëlqim Krasniqi dhe mbetën të lënduar një baba së bashku me dy fëmijët e tij të vegjël.

Gjatë seancës gjyqësore, avokati mbrojtës Arbër Raja kërkoi një masë më të butë sigurie, duke argumentuar se klienti i tij vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i pajisur me kartelë mjekësore për skizofreni dhe epilepsi.

Sipas avokatit, këto kushte kërkojnë trajtim të specializuar dhe monitorim të vazhdueshëm në institucion shëndetësor, jo mbajtje në paraburgim.

Adnan Galica, sot 36 vjeç, pësoi një tjetër aksident kur ishte 18 vjeç por asokohe si pasagjer duke qëndruar një muaj e gjysëm në koma. Ai aksident i la pasojat e sipërmendura në shëndetin e tij që e kanë shoqëruar në 18 vitet e fundit.

Në këtë mënyrë, pala mbrojtëse kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” si masa më e përshtatshme si edhe ndjekjen e procedurave të mjekimit deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe gjendjes shëndetësore duke përfshirë këtu edhe analizimin e gjendjes psikiatrike nga ana e Institutit të Mjeksisë Ligjore për të përcaktuar përgjegjësinë e personit në momentin e ngjarjes.

Në të njëjtën linjë, edhe mjeku reanimator i spitalit rajonal të Shkodrës Bashkim Kraja ka rekomanduar gjatë seancës për masën e sigurisë, trajtim në kushte spitalore deri në sqarimin e plotë të gjendjes shëndetësore.

Vetë i dyshuari Adnan Galica për shkak të gjendjes shëndetësore por edhe i ndodhur në gjendje shoku pas aksidentit nuk ka folur asnjë fjalë as për policinë dhe as në gjykatë.

Nga ana tjetër, prokurorja e çështjes, Brikena Mile, ka mbështetur masën e arrestit me burg, duke vlerësuar rrethanat dhe pasojat e rënda të ngjarjes, ndërsa gjyqtarja Jola Sado vendosi lënien në fuqi të kësaj mase.

Ngjarja e shkaktuar nga Adnan Galica është shumë e rëndë dhe nëse do të ishte një person pa probleme të shëndetit mendor, patjetër që drejtësia, aq më tepër drejtësia e re do të duhej të vepronte me ashpërsinë e ligjit por në rastin konkret krijon një diskutim të gjërë se si duhen trajtuar këto raste.

Ndërkohë, kjo çështje hap edhe një debat më të gjerë mbi kontrollin dhe mbikëqyrjen e drejtuesve të mjeteve që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor aq më tepër kur numri i tyre në Shkodër dhe kudo tjetër është në një rritje të konsiderueshme dhe nuk bëhet fjalë më për raste sporadike.