
...
Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e vitit 2021 në Qarkun e Elbasanit me rezultatin në mandate 8 me 6 dhe me tepricë votash për tetë mandate. Kësaj here, objektivi i tyre i deklaruar është mandati i nëntë, por për ta realizuar këtë do të nevojitet të kthejnë edhe disa mijëra votues të opozitës në anën e vet ose të shtojnë 7 mijë vota nga rezultati i vitit 2021. Kjo natyrisht që është e vështirë dhe, nëse merret parasysh fakti që rezultati i zgjedhjeve të kaluara për socialistët u ndihmua në një masë të konsiderueshme nga “faktori çam”, një strukturë politikanësh vendorë që më parë kanë qenë mbështetës të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe që tashmë prej vitesh mbështesin socialistët, mbetet e paqartë se sa do të jenë në gjendje të ndikojnë këto elementë këtë herë. Politikani vendor kyç në këtë histori, Aqif Rakipi, gjendet aktualisht i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe, aftësia e këtij grupimi për të mbledhur vota pas sanksionimit duhet parë.
“Faktori Çam” u shfaq në qarkun Elbasan fillimisht në vitin 2013, kur Aqif Rakipi u zgjodh deputet në emër të PDIU, në aleancë me Partinë Demokratike. Në këto zgjedhje PDIU mori në Elbasan 12 mijë vota si pjesë e koalicionit të PD-së. PDIU ndryshoi krah menjëherë pas zgjedhjeve duke hyrë në aleancë me Partinë Socialiste e cila i përdori disa nga deputetët e saj si balancë ndaj presionit të LSI, duke qenë se nuk e dispononte shumicën e thjeshtë. Kur PS vendosi të garojë më vete në vitin 2017, PDIU garoi gjithashtu më vete, por struktura e saj e Elbasanit, nën drejtimin e Rakipit, punoi efektivisht për llogari të vetën dhe arriti, në një ndryshim dramatik të hartës elektorale, të fitojë 29 mijë vota në qarkun Elbasan dhe dy mandate. Mandatet e fituara mbështetën qeverisjen e Edi Ramës ndërsa Rakipi e humbi mandatin e deputetit në vitin 2018 për mosdeklarim të një problemi me drejtësinë italiane në formularin e dekriminalizimit.
Në zgjedhjet e vitit 2021, struktura e PDIU në Elbasan u integrua tërësisht te Partia Socialiste, me të birin e Rakipit, Ornaldo, deputet me votë pëlqyese dhe me thyes të herësit në Tiranë dhe me Saimir Hasallën, një i afërm i Rakipit, deputet në Elbasan.
Në total, socialistët arritën të fitojnë në Elbasan 55% të votave në zgjedhjet e vitit 2021, me një rritje mbresëlënëse prej gati 14 mijë votash në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017. Vetë Hasalla, pavarësisht se garonte në listë të sigurt, mori 11,500 vota pëlqyese, duke demonstruar efikasitetin e makinerisë elektorale në fjalë në Elbasan.
Rakipi u vendos nën sanksione në vitin 2022 për korrupsion dhe krim të organizuar. Kjo nuk e ndaloi Partinë Socialiste që të gëzonte frytet e mandateve të njerëzve të Rakipit në Elbasan dhe Tiranë dhe si Saimir Hasalla ashtu edhe Ornaldo Rakipi vijojnë të jenë garues për Partinë Socialiste në këto zgjedhje.
Gjithsesi, aftësia e kësaj strukture për të mobilizuar vota në këto zgjedhje në të njëjtat përmasa me zgjedhjet e kaluara nuk është e garantuar pasi metodat e tyre, të përshkruara nga Departamenti i Thesarit të SHBA-ve si grup i strukturuar kriminal që ka ofruar vende pune, koncesione, dhurata apo para në shkëmbim të votave, pritet të testohen dhe të përbëjnë gjithashtu një sfidë për SPAK.
Në përgjithësi Qarku i Elbasanit ka qenë mbështetës i së majtës. Edhe në zgjedhjet e vitit 2005, kur votuesit në Tiranë dhe Durrës dhanë fitoret kyçe në zgjedhjet maxhoritare që sollën Partinë Demokratike në pushtet, në Elbasan rezultati qe më i larmishëm, me më shumë mandate të fituara nga PS, veçanërisht në Librazhd, Prrenjas, Gramsh, Cërrik e Belsh si dhe në vetë qytetin e Elbasanit.
Telashi për socialistët është që Elbasani ka numër mandatesh çift, gjë që favorizon barazimin përveçse me sforco të stërmëdha. Në zgjedhjet e vitit 2009, koalicioni i PS-së fitoi në qark 48% të votave kundrejt 45% të koalicionit të PD-së dhe megjithatë, rezultati final në mandate ishte 7 me 7. Në zgjedhjet e vitit 2013, koalicioni i majtë fitoi tetë mandate, por dy u fituan nga LSI ndërsa vetë PS ra në 6. Dhe në vitin 2017, PS fitoi 7 mandate pavarësisht se PD ra në 21% të votave ndërsa dy mandate u fituan nga LSI dhe 2 nga PDIU. Fitorja e 29 mijë votave nga PDIU, përfshiu, mes të tjerave, fitoren e pabesueshme në deri 70% në zona të caktuara si Peqini. Në zgjedhjet e vitit 2021, LSI ra në zero mandate, PD u rrit në 6 ndërsa PS u rrit në 8. LSI dhe PD bashkë morën 41% të votave kundrejt 55% të socialistëve. Edhe sikur të kishin garuar bashkë, sërish rezultati do të ishte 8 me 6 për PS.
Profili demografik e social
Qarku i Elbasanit është një nga qarqet më të varfra në vend dhe shtrihet në një zonë të gjerë në Shqipërinë qendrore, përgjithësisht përgjatë Lumit Shkubin dhe lumit Devoll dhe disa luginave të thella të përrenjve malorë që derdhen në Shkumbin. Pjesa më e madhe e territorit është malor, me zonën e Belshit dhe Cërrikut të mbuluar nga kodra të buta dhe me luginën e Lumit Shkumbin si dhe fushat e Cërrikut buzë lumit Devoll përbëjnë burimet bujqësore të zonës.
Qyteti i Elbasanit u zhvillua në kohën e Komunizmit si qendër e industrisë së rëndë metalurgjike dhe si nyje e rrjetit elektroenergjetik kombëtar ndërsa falimentimi apo tkurrja e pjesës më të madhe të kësaj industrie la pas ndotje, papunësi dhe varfëri të madhe. Qytezat e Gramshit dhe Cërrikut u zhvilluan gjithashtu si qendra të industrisë, e para, të armatimeve dhe e dyta të përpunimit të hidrokarbureve dhe të aviacionit ushtarak.
Popullsia banuese e qarkut ka rënë në mënyrë dramatike nga 363 mijë vetë në vitin 2001 në 233 mijë në vitin 2023, me shkallë rënieje 35%. Rreth 55% e popullsisë vijon të jetojë në zonat rurale. Popullsia e qytetit të Elbasanit ka rënë nga 79 mijë në vitin 2011 në 67 mijë në vitin 2023.
Industria e çelikut dhe pasurimi i kromit përbëjnë bazën industriale të qarkut ndërsa drufrutorët dhe turizmi i natyrës kanë filluar të zhvillohen gjatë viteve të fundit, veçanërisht në zonën piktoreske të Belshit, ku disa qindra liqene të vegjël zbukurojnë panoramën e përbërë nga kodra të buta, vreshta dhe ullinj.
Kandidatët
Tomorr Alizoti nga PD dhe Edmond Haxhinasto nga Partia e Lirisë, (ish-LSI), udhëheqin listën e mbyllur të Koalicionit Shqipëria Madhështore. Klodiana Çapja dhe Blendi Himçi, pedagogë në Universitetin e Elbasanit, dhe Aurel Bylykbashi, deputet, mbyllin listën e mbyllur për opozitën.
Ministrat Arbjan Mazniku dhe Bora Muzhaqi, ish ministrja Evis Kushi si dhe drejtorët Ermal Elezi, Adi Qose zënë listën e mbyllur të socialistëve.
Gara për pozicionet e mbetura për të dy palët është e ngjeshur. Ish-drejtori i LSI Dashamir Xhika garon për opozitën bashkë me ish-drejtorin Dritan Sejko nga PDIU.
Luan Duzha, ish-deputeti i Partisë Republikane zgjedhur në koalicionin e PD-së në vitin 2013, i cili u ble fillimisht nga Meta dhe pastaj nga Rama, garon aktualisht për socialistët pasi nuk arriti të zgjidhet në vitin 2021. Saimir Hasalla, deputeti aktual dhe i afërm i Aqif Rakipit kësaj here duhet të luftojë nga listat e hapura. Edhe disa drejtorë të tjerë të shtetit janë në garë për të kapur mandate./BIRN