
...
Përfundon aventura e Neymar te Al-Hilal. Klubi nga Arabia Saudite dhe sulmuesi vendosën me marrëveshje që të mbyllin kontratën. Kampionët e Pro League zyrtarizuan vendimin, që erdhi pas aventurës zhgënjyese të 32-vjeçarit.
Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Brazilin, me 79 rrjeta në 128 ndeshje, nuk arriti të rikthehej në formën më të mirë pas dëmtimit në gju. Në tetor të vitit 2023, ai këputi ligamentet në sfidën kundër Uruguajit, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës.
“Klubi i Al-Hilal dhe Neymar Jr. vendosën të mbyllin bashkëpunimit kontraktual me marrëveshje dypalëshe”, thuhej në njoftimin e postuar nga arabët në platformën ‘X’.
Sulmuesi ka luajtur vetëm shtatë ndeshje për Al-Hilal prej transferimit nga Paris Saint Germain, për rreth 90 milionë euro nëverën e vitit 2023.
Mediat braziliane kanë raportuar se Neymar do të kthehet në klubin e vendlindjes së tij Santos. Aty u zbulua si talent dhe shpërtheu në moshë të vogël, për tu transferuar te Barcelona në vitin 2013. Në gusht të 2017-ës, ai u transferua nga katalanasit te Paris Saint Germain për shifrën rekord të 222 milionë eurove.