
...
Ekziston një aplikacion i ri kinez, që ka fituar popullaritet të madh, teksa amerikanët përgatiten për bllokimin e TikTok nga qeveria e tyre.
Në rast se nuk e keni dëgjuar, qeveria amerikane mund të ndalojë TikTok në ditët e ardhshme, që do të thotë se miliona amerikanë janë në rrezik të humbasin aksesin në rrjetin social. Të njëjtën gjë ka paralajmëruar se do të bëjë edhe Shqipëria.
I quajtur RedNote në SHBA, Xiaohongshu (që përkthehet Libri i Vogël i Kuq) është një aplikacion i mediave sociale që lejon përdoruesit të ndajnë foto dhe video nga jeta e tyre e përditshme. Platforma është në pronësi të kompanisë me bazë në Shangai, Xingyin Information Technology.
Përdoruesit mund ta përdorin gjithashtu aplikacionin për të blerë në internet dhe për të ndarë komentet e produkteve, që do të thotë se është një përzierje e mediave sociale dhe e-commerce.
Aplikacioni, i cili shpesh krahasohet me Instagram, TikTok dhe madje edhe Pinterest, është relativisht i panjohur në Perëndim, por një nga faqet më të mëdha të mediave sociale në Kinë, me rreth 300 milionë përdorues në muaj. Sipas një raporti nga Newsweek, aplikacioni thuhet se ka vlerë mbi 3 miliardë dollarë.
Një shifër që tani është vendosur të rritet nëse “refugjatët TikTok” vendosin ta bëjnë platformën shtëpinë e tyre të re.
Xiaohongshu është aktualisht aplikacioni më i shkarkuar në dyqanet e aplikacioneve Apple dhe Google Play, që do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e përdoruesve të TikTok duket se janë të gatshëm të provojnë platformën.
Një nga shqetësimet e ngritura nga qeveria amerikane që kërkon mbylljen ose shitjen e TikTok, është pikërisht pronësia kineze dhe dyshimet se kompania “ByteDance” ndan të dhënat e miliona përdoruesve me qeverinë kineze.
“Qeveria kineze mund ta kthejë TikTokun në një armë në çdo moment”, deklaroi një zëdhënës i qeverisë amerikane gjatë seancës për mbylljen e TikTok në Gjykatën Supreme amerikane.
Në këtë kontekst, largimi nga një aplikacion kinez, për një tjetër aplikacion kinez, mbetet po aq shqetësues.