...
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë njëherësh dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Metaj, ka vendosur të heqë dorë nga transferimi i tij, pranë burgut të Fierit.
Shkak për tërheqjen nga kërkesa fillestare depozituar në mesin e muajin Tetor 2024 tek zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, janë bërë takimet e shpeshta që Meta kryen me fëmijët, anëtarët e familjes, avokatin e tij mbrojtës dhe zyrtarët e Partisë së Lirisë.
Transferimi i Metës në burgun e Fierit, do sillte më tepër angazhim në kohë për personat që marrin takim çdo ditë me Metën në ambientet e burgut.
Ndaj ai ka vlerësuar të qëndrojë në ambientet e paraburgimit Nr.313 në Tiranë, duke sjellë një lehtësim kohor të personave që marrin takim thuajse çdo ditë me të në burg.
Kujtojmë se fillimisht Meta teksa ndodhej në periudhën e observimit kërkoi të transferohet në burgun e Fierit, për t’ju bashkuar ish-deputetit të PD, Ervin Salianji.
Por shpejt ai ndryshoi qëndrimi për shkak të takimeve të shpeshta që zhvillonte me fëmijët, anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët.
Ilir Metaj, u arrestua në 21 Tetor 2024 nga Policia me urdhër të SPAK, gjatë një aksioni të organizuar në mes të ditës, operacion i cili la shumë komente më pas.
Ndaj Metës, SPAK ka ngritur akuzën e “Fshehjes së pasurisë”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve publikë” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.
Aktualisht Meta ka ankimuar në Apel vendimin e shkallës së parë që caktoi masën e sigurisë arrest në burg, duke kërkuar zbutjen e kësaj mase sigurimi dhe lirimin e tij nga qelia.
Gjyqtarja që do të shqyrtojë ankimimin e Ilir Metaj në Apel është zgjedhur Igerta Hysi. Ndërkohë ende nuk ka një data se kur do zhvillohet seanca gjyqësore në Apel.