...
Nga Adriatik Doçi
Skandali i mbetjeve toksike i ka përfshirë të gjithë. Të gjithë akuzojnë të gjithë. Në fund, të gjithë bashkë do t’a mbyllin gojën dhe skandalin. Qeveria, përmes një deklarate dyministrore, kërkoi kohë për të zbuluar të vërtetën, ndërsa opozita “kundërshtoi” fuqishëm. Madje, qeveria pretendoi se kontenierët me mbetje do të qëndronin dhe do të bënin “plazh” në Tajlandë derisa të sqarohej situata.
Thelbi i deklaratës mbështetej në tre rreshta:
Në vend që të bëjmë përgjegjëse agjencitë ligjzbatuese për përpjekjet evidente të dy operatorëve ekonomikë, përkatësisht njërit në Shqipëri dhe tjetrit në Kosovë, për t’iu shmangur përgjegjësive të tyre, do të ishte e udhës që të prisnim rezultatet e hetimeve dhe analizave përkatëse.
Pra, qeveria mori në mbrojtje operatorin ‘Sokolaj’ SHPK që bleu 816 ton mbetje ‘Kurum’ dhe i ngarkoi në dy anije me nga 50 kontenierë, duke i eksportuar për në Tajlandë. Me këtë mbrojtje, u ngatërrua edhe operatori kosovar ‘Apfelbaum’ që dërgoi për në Kinë ngarkesa krejt të tjera (koncentrat zinku), jo nga Elbasani i Shqipërisë, por nga Trepçe e Kosovës.
Kurum-i nga ana turke bëri një manovër me mbylljen e dyerve të ‘Kurum’ për 500 punëtorë që punojnë në uzinën e “ndryshkut” në Elbasan.
‘Kurum’ si një çorbë turko-shqiptare. Skandali i Falimentimit me ligj të porositur për Qeverinë dhe Opozitën
“Kurum International” sha me NIPT K02727230T është themeluar në vitin 1998 nga Hasmet Kurum. Administrator është Erdal Demir, por që nga viti 2016 për shkak të borxheve të mëdha, keqmenexhimit dhe vjedhjeve përfundoi në gjykatë duke kërkuar shpalljen e falimentimit.
Gjykata e Tiranës me vendimin 6631 të datës 16-03-2016, caktoi një administrator të përkohshëm falimenti (Lindita Kikino) për të mbikëqyrur sipas një plani riorganizimi përmbushjen e pretendimeve të kreditorëve të Kurum. Duhej gjetur rruga se si Kurum të paguante borxhet ndaj disa kreditorëve shumë të rëndësishëm, por dhe të vazhdonte punën që të fitonte e të mos falimentonte. Rruga për të bërë një “falimentim të kontrolluar” mund të gjendej vetëm me miratimin e një ligji të ri.
Në prill 2016, Gjykata e Tiranës me gjyqtare Teuta Hoxhën shpalli hapjen e procedurës së falimentimit për Kurum duke caktuar një administrator të përkohshëm me licencë që e “peshkoi” mes shumë të licensuarve, Lindita Kikino.
Me vendim gjykata i ngarkonte Kikinos përgjegjësinë e verifikimit të shkakut të falimentimit dhe shqyrtimin e mundësive për vazhdimësinë e aktivitetit të Kurum.
Vetëm një vit e gjysmë më vonë, në 3 gusht 2017, u depozitua në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKB) vendimi për miratimin e Planit të Riorganizimit, vendim i dhënë që në datën 26 shkurt 2016.
Pse kjo vonesë?
Një nga ngjarjet më të rëndësishme që përkojnë me periudhën e riorganizimit të “Kurum International” sha është miratimi i ligjit të ri për proceset e falimentimit në Shqipëri. Ligji me numër 110-2016 “Për Falimentimin” u miratua në parlament në 27 tetor 2016 dhe hyri në fuqi gjashtë muaj më vonë. Ligji solli ndryshime të thella në procedurat e falimentimit duke përfshirë një “risi” të rëndësishme – planin e riorganizimit për të shmangur mbylljen e aktiviteteve të kompanive në falimentim. Ishte sikur ligji të kishte paramenduar se si duhej organizuar shpëtimi i Kurum.
Ligji u miratua nën presionin e International Financial Corporation (IFC), një nga kreditorët kryesorë të Kurum. Disa nga kreditorët e Kurum janë: International Financial Corporation (IFC), Raiffeisen Bank dhe Black Sea Trading and Development Bank. Sipas dokumenteve dhe bilanceve të fundit, IFC është një nga kreditorët më të mëdhenj të Kurum dhe roli i saj ka qenë thelbësor në ndihmën që i është dhënë për të kaluar periudhën e vështirë të falimentimit dhe riorganizimit.
Si e miratoi IFC ligjin për falimentimin?
Për të bërë një ligj të tillë duhej ekspertizë e veçantë nga jashtë mbi fushën e falimentimit që Shqipëria nuk e kishte.
Eksperti kryesor i caktuar dhe paguar nga IFC që mbante një rol determinant në projektimin e ligjit të ri për falimentimin ishte avokati Vangjel Kosta.
Kosta, një ish-gjyqtar i vjetër me lidhje të forta me pushtetin e majtë, ishte personi kyç që u gjet dhe u përfshi në çdo hap të procesit të hartimit të ligjit.
Eksperti i IFC-së mori detyrën dhe u tregua i kujdesshëm të mos shfaqej në skenën publike, madje dhe të mos regjistrohej në procesverbalet e parlamentit gjatë diskutimeve për ligjin e ri të falimentimit. Ligji u paraqit si nevojë e kohës që kërkohej nga ekspertët e huaj ndërkohë që ndikimi i IFC tek qeveria shqiptare nëpërmjet dy ekspertëve shqiptarë Vangjel Kosta dhe Marjana Semini po kuptohet vetëm pas kaq viteve.
Miratimi i ligjit kishte një synim që quhej ‘Kurum’. Askush nuk i kuptoi risitë e ligjit dhe konceptin e “riorganizimit në falimentim”. Ligji përfundoi me sukses me miratimin e tij në parlament nga të dy krahët politikë
Administratorja dhe avokati i “falimentimit”
Lindita Kikino është licencuar nga Ministria e Drejtësisë si administratore falimenti në vitin 2012 dhe ushtron aktivitet si person fizik me Niptin L22208011J në Rrugën “Jordan Misja”, Pallati SARA-EL pranë zyrave të SPAK.
Në zyrën e saj Kikino, bashkëshorti i saj dhe dy punonjës, drejtues juridik është biznesmeni Feriz Breçani, bashkëshort i Shpresa Breçanit, një person i njohur si familjar i Sali Berishës (mbesa), e cila figuron edhe në dosjen e SPAK-ut për ish Klubin Partizani, por edhe në shumë çështje të tjera.
Juristi Breçani punon dhe jep mendim ligjor në zyrën ku drejtohet falimentimi “i organizuar” i Kurum nga administratorja e caktuar nga gjykata, Lindita Kikino.
Nga ana tjetër eksperti i caktuar nga IFC për ligjin e falimentimit, avokati Vangjel Kosta, nga viti 2011 është pjesë e zyrës juridike “Zaka, Kosta & Memishaj” me Nipt L11806020N.
Avokatja kryesore e zyrës është Tefta Zaka, një ish-gjyqtare e Gjykatës së Lartë dhe bashkëshorte e Ismail Mulletit.
“Il Mulleti” njihet nga media si një lidhje e fortë e Familjes Berisha dhe bizneset e përbashkëta e të shumta që menexhohen pikërisht nga ky bisnesmen.
Porti i ri në Porto Romano ku qeveria detyrohet të bashkëpunojë me pronarët e tokave në zonën e projektuar ku të ndërtohet, ka për pronar Il Mulletin në pjesë të rëndësishme prone.
Mulleti njihet edhe si financues i Shkëlzenin Berishës. Mulleti i ka kaluar Shkëlzenit 350 mijë euro përmes bankës, për shërbim të dyshuar fiktiv, ndërsa më pas Sali Berisha si kryeministër, bashkë me Ridvan Boden, i dhanë Mulletit koncensionin e markimit të karburanteve, të cilin në fund ua shiti turqve.
Ndërsa avokatja tjetër e zyrës Entela Memishaj është vajza e Enver Memishaj, ish-Shef i SHIK-ut të Vlorës (1993-1997), idhtar i flaktë i Partisë Demokratike dhe Sali Berishës. Brenda zyrës së Zakës dhe Memishajt janë përpunuar shumë nene të ligjit për falimentimin, ndër to edhe pjesa e “planit të riorganizimit” të Kurum.
Transferimet dhe regjistrimet e vonuara. ‘Rilindja’ nga falimentimi i Kurum
Në vitin 2018, u publikua në QKB një kontratë noteriale që mundësonte transferimin e aksioneve të “Kurum International” sha nga Hasmet Kurumi tek Melis dhe Selin Kurum, me një kontratë dhurimi të hartuar në Turqi dhe të përcjellë në Shqipëri me vulë apostile.
Por, regjistrimi i këtij transferimi në QKB ndodhi me vonesë dhe me probleme të dukshme, përfshirë vërtetimin që figuron pa barrë për Hasmet Kurumin dhe jo për shoqërinë. Pse e lejoi administratorja mbikëqyrëse, Lindita Kikino, një veprim të tillë?
Lindita Kikinos i ishte caktuar detyrë të mbikëqyrte veprimtarinë e Kurum dhe të verifikonte nëse ishte real shkaku për hapjen e procedurës së falimentit nga Kurum ose jo, deri në marrjen e një vendimi definitive nga Gjykata për falimentimin përfundimtar të kësaj kompanie. Për këtë arsye statusi i Kurum tregohej nga QKB si “Shoqëri në procedurë falimenti”.
Me vendimin e datës 2-08-2017 u vendos kufizimi i veprimeve të administratorit Yusuf Sezai Kurum për transaksionet mbi 20 000 000 lekë, për shkak të “planit të riorganizimit”. Pjesë e këtij procesi të kalkuluar ishte edhe publikimi 5 vite më pas në QKB (20-04-2018) i kontratës noteriale Nr. 20283 datë 14-11-2013 për transferimin e aksioneve me anë të dhurimit nga pronari i Kurum.
Sipas kësaj kontrate Hasmet Kurumi ia kishte lënë aksionet 50 me 50 Melis Kurum dhe Selin Kurum. Kontrata e dhurimit është bërë në Turqi dhe e sjellë me apostilë në Shqipëri. Ndërkohë, që ndaj Kurum për këtë periudhë kishte shumë sekuestrime për të lejuar kaq lehtë regjistrimin e këtij transaksioni 5 vite më vonë, regjistrim që u bë duke bashkëlidhur një vërtetim nga Regjistri i Barrëve Siguruese ku figuron pa barrë vetëm Hasmet Kurumi, dhe jo “Kurum International”sha.
Rehabilitimi i Kurum vjen gradualisht më pas, kur me vendimin e Gjykatës së Tiranës nr. 10234 të datës 11-12-2018, u mbyll procedura e falimentimit dhe kjo kompani u lejua të vazhdojë aktivitetin sipas një plani riorganizimi dhe mbikëqyrjeje që do të ndiqej nga Lindita Kikino.
Në 14-12-2022 u bë një regjistrim për transferimin e kuotave nga ortakët Melis Kurum dhe Selin Kurum tek Hatice Melek Kürüm duke bërë që pronësia nga “E Huaj (100%)” të bëhet “Shqiptare (100%)” pasi Hatice ndërkohë u pajis nga qeveria dhe presidenca me pasaportën shqiptare.
Po të shihet bilanci për vitin 2023 në total nga Kurum janë shlyer 66 milion euro në principal dhe rreth 2.6 milion euro interesa ndaj kreditorëve.
A ishte rastësi që tejzgjatja e procedurave të falimentimit dhe publikimi me vonesë i vendimit të gjykatës për riorganizimin e aktivitetit të Kurum përkon pikërisht me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për Falimentimin” me numër 110-2016?
Ligji u miratua nga Parlamenti në 27-10-2016 pas një presioni të paprecedentë të IFC mbi qeverinë shqiptare dhe hyri në fuqi 6 muaj më pas, datë që përkon me publikimin me vonesë të planit të riorganizimit të kompanisë Kurum, kreditori më i madh i të cilit ishte po IFC.
Ishte pikërisht ligji i ri që solli si risi të elaboruar “planin e riorganizimit” të shoqërive në falimentim për të mos mbyllur aktivitetin. Kurum nuk e mbylli, as nuk u mbyll, por vazhdoi me ndihmën e Qeverisë dhe opozitës të përpunojë, shesë dhe në fund të eksportojë mbetje toksike si ato që kanë mbetur në Tajlandë.