... Nami.al

Sapo doli nga burgu tentoi të vriste fqinjin/ Arrestohet Andrea Bregasi, autori i atentatit të dështuar në ‘Don Bosko’!

Policia e Durrësit ka arrestuar autorin e dyshuar të atentatit të dështuar në ‘Don Bosko’ të ndodhur në Tiranë, në dhjetorin e kaluar kur u qëllua një makinë ku udhëtonin 3 persona.

33 vjeçari i armatosur u arrestua në hyrje të një pallati në lagjen nr. 11 të qytetit të Durrësit.

Andrea Bregasi i janë sekuestruar dhe pistoleta dhe 9 fishekë.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që lëvizte i armatosur në qytetin e Durrësit, Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizoi operacionin policor të koduar “Precedenti”.

Gjatë këtij operacioni, në hyrje të një pallati në lagjen nr. 11, u arrestua në flagrancë Andrea Bregasi. 33 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrolli në çantën e 33-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që posedohej pa leje.

Në vijim, pas verifikimeve rezultoi se shtetasi ishte në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia kishte vënë në dispozicion 5 mijë euro për informacione rreth tij.

Kush eshtë Andrea Bregasi?

Andrea Bregasi rezulton të jetë i dënuar më herët për grabitje me armë në një argjendari. Ai është liruar në dhjetor 2022 nga burgu, ku ka vuajtur dënim për grabitje.

Pronari i një dyqani në zonën e Medresesë, Rudolf Zefi i shpëtoi atentatit.

Andrea Bregasi lëvizte qetësisht me cigare në dorë dhe qëlloi me 6 plumba në drejtim të makinës. Katër prej 6 plumbave të qëlluar nga pistoleta e autorit prekën makinën.