... Nami.al

Analiza në “Associated Press”/ Si mund të përfundojë lufta e Izraelit me Hamasin në Gaza

Hamasi vazhdon të bëjë rezistencë megjithë dëmet që ka pësuar pas shtatë muajsh luftimesh me Izraelin. Kjo organizatë, e shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania, është riorganizuar në zonat e goditura më rëndë në Gazën veriore dhe ka rifilluar madje sulmet me raketa ndaj komuniteteve izraelite.

Izraeli arriti fillimisht një avantazh taktik ndaj Hamasit, pasi sulmet ajrore hapën rrugën për forcat tokësore. Por këto arritje fillestare janë zëvendësuar tashmë nga lufta e vazhdueshme ndaj një Hamasi që u përshtatet situatave. Është krijuar gjithashtu një ndjesi në rritje mes izraelitëve se forcat e tyre ushtarake përballen vetëm me opsione të këqija, duke bërë paralelizma me luftërat e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan.

Ky ishte sfondi i një rebelimi gjatë ditëve të fundit nga dy anëtarë të kabinetit të luftës së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe rivali kryesor politik i kryeministrit, Benny Gantz, kërkuan që kryeministri të paraqesë plane të detajuara për periudhën e pasluftës.

Të dy zyrtarët patën dhënë mbështetjen e tyre për kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj sulmit që bëri Hamasi në 7 tetor, ndër të tjera edhe për një nga fushatat më të rënda të bombardimeve të viteve të fundit, për operacionet tokësore që rrënuan lagje të tëra, si dhe për kufizimet në pikat kufitare, që Programi i OKB-së për Ushqimin thotë se shkaktuan urinë në territorin e Gazës.

Por tashmë dy ish-gjeneralët i frikësohen një pushtimi të zgjatur dhe të kushtueshëm të Gazës, nga ku Izraeli pati tërhequr ushtarët dhe kolonët që në vitin 2005. Dy zyrtarët janë kundër edhe një tërheqjeje që do ta linte këtë territor nën kontrollin e Hamasit, apo që do të sillte krijimin e një shteti palestinez. Ata kanë paraqitur alternativat e tyre, për të cilat shumë izraelitë thonë se janë tepër jorealiste. Hamasi ndërkohë ka paraqitur planin e tij për periudhën e pasluftës.

PUSHTIMI I PLOTË USHTARAK

Kryeministri Netanyahu ka premtuar “fitoren e plotë” që do të hiqte Hamasin nga pushteti, do të eliminonte kapacitetet ushtarake të këtij grupi dhe do të rikthente dhjetëra pengjet që ende mbahen që kur Hamasi sulmoi Izraelin dhe shkaktoi luftën. Zoti Netanyahu ka thënë se fitorja do të arrihej brenda disa javëve, nëse Izraeli do të bënte një sulm frontal në Rafah, bastioni i fundit i Hamasit, sipas Izraelit.

Amir Avivi, ish-gjeneral izraelit dhe ish-zëvendës komandant i divizionit të Gazës, thotë se ky është vetëm fillimi. Ai shton se Izraeli do të duhet të vazhdojë ta mbajë Gazën nën kontroll për të parandaluar ripërtëritjen e Hamasit.

“Pa tharë kënetën, nuk zhduken mushkonjat. Dhe tharja e kënetës do të thotë një ndryshim i plotë në sistemin arsimor dhe krijimin e një marrëdhënieje me drejtuesit vendas dhe jo me një organizatë terroriste”, thotë ai. “Ky është një proces brezash. Nuk ndodh brenda një dite”.

Anëtarët e koalicionit qeverisës të zotit Netanyahut, të cilët përfaqësojnë ekstremin e djathtë dhe që mbajnë çelësin e qëndrimit të tij në pushtet, kanë bërë thirrje për një pushtim të përhershëm, për “emigrimin vullnetar” të një numri të madh të palestinezëve kudo ku mund t’i pranojnë dhe rindërtimin e vendbanimeve hebraike në Gazë.

Shumica e izraelitëve janë kundër, duke vënë në dukje koston e madhe të vendosjes së mijëra forcave në këtë territor ku banojnë 2.3 milionë palestinezë. Si një fuqi pushtuese, Izraeli ka të ngjarë të mbahet përgjegjës për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, arsimit dhe shërbimeve të tjera. Është e paqartë se deri në çfarë mase donatorët ndërkombëtarë do të ndihmojnë për të financuar rindërtimin ndërsa vazhdojnë luftimet.

Nuk ka gjithashtu asnjë garanci që një pushtim i tillë do të eliminonte Hamasin. Izraeli e kishte nën kontroll të plotë Gazën kur Hamasi u themelua në fund të viteve 1980. Pushtimi 18-vjeçar i Libanit jugor nga Izraeli përkoi me fuqizimin e Hezbollahut dhe forcat izraelite luftojnë vazhdimisht kundër militantëve në Bregun Perëndimor, që Izraeli e ka nën kontroll që nga viti 1967.

NJË PUSHTIM JO I PLOTË, I SHOQËRUAR ME DISA LËSHIME

Zoti Netanyahu ka thënë se Izraeli do të mbajë kontrollin e sigurisë në Gazë, por do t’ia delegojë administratën civile palestinezëve vendas që nuk kanë lidhje me Hamasin ose me Autoritetin Palestinez që mbështetet nga Perëndimi dhe që qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar. Ai ka sugjeruar që vendet arabe dhe vende të tjera të ndihmojnë me qeverisjen dhe rindërtimin.

Por deri më tani asnjë vend nuk ka shfaqur interesimin për këtë. Nuk ka patur njoftime për palestinezë që mund të jenë ofruar për të bashkëpunuar me ushtrinë izraelite, ndoshta sepse Hamasi ka thënë se ata do të konsiderohen si bashkëpunëtorë, një kërcënim që nënkupton ndëshkimin me vdekje.

Përpjekjet për të vendosur kontakte me sipërmarrës palestinezë dhe familjet me influencë, “kanë përfunduar në një katastrofë”, thotë Michael Milshtein, ish-oficer i zbulimit ushtarak izraelit dhe tashmë analist për çështjet palestineze, në Universitetin e Tel Avivit. Ai thotë se izraelitët që kërkojnë aleatë të tillë po kërkojnë krijesa mitologjike që nuk ekzistojnë.

Shtetet arabe gjithashtu e kanë hedhur poshtë këtë skenar – madje edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që janë ndër vendet e pakta që njohin zyrtarisht Izraelin dhe mbajnë lidhje të ngushta me të. “Emiratet e Bashkuara Arabe refuzojnë të përfshihen në një plan që synon të justifikojë praninë izraelite në Rripin e Gazës”, tha këtë muaj ministri i Jashtëm, Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

ALTERNATIVA TJETËR

Në vend të kësaj, shtetet arabe janë bashkuar në mbështetje të një propozimi të Shteteve të Bashkuara, që synon zgjidhjen e konfliktit që vazhdon prej dekadash dhe transformimin e Lindjes së Mesme. Sipas këtij plani, një Autoritet Palestinez i reformuar do të qeveriste Gazën me ndihmën e vendeve arabe dhe myslimane, përfshirë Arabinë Saudite, e cila do të normalizonte marrëdhëniet me Izraelin në këmbim të një pakti në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara dhe ndihmës për ndërtimin e një programi civil bërthamor.

Por zyrtarët amerikanë dhe sauditë thonë se kjo varet nga angazhimi i Izraelit në një mënyrë të besueshme për një shtet të ardhshëm palestinez. Zoti Netanyahu e ka përjashtuar një skenar të tillë – ashtu si zoti Gallant dhe zoti Gantz – duke thënë se kjo do të shpërblente Hamasin dhe do të rezultonte në një shtet të drejtuar nga militantët në kufijtë e Izraelit.

Palestinezët thonë se dhënia fund e pushtimit prej dekadash të Izraelit dhe krijimi i një shteti plotësisht të pavarur në Gazë, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin lindor – territore të marra nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 – është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund ciklit të gjakderdhjes.

Hamasi ka thënë se do të pranonte një zgjidhje me dy shtete të paktën përkohësisht, por në programin e tij politik vazhdon të bëjë thirrje për “çlirimin e plotë të Palestinës”, përfshirë pjesën që tashmë është shteti i Izraelit. Hamasi ka thënë gjithashtu se duhet të jetë pjesë e zgjidhjes për periudhën e pasluftës.

NJË MARRËVESHJE ME HAMASIN

Hamasi ka paraqitur një propozim shumë të ndryshëm, që për ironi mund të jetë më i pranueshëm për izraelitët se propozimi SHBA-Arabi Saudite. Grupi militant ka propozuar një marrëveshje me faza, sipas së cilës do të lirojë të gjithë pengjet në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë –përfshirë militantët kryesorë – si dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza, një armëpushim të zgjatur dhe rindërtimin.

Kjo do ta linte pothuajse me siguri Gazën nën kontrollin e Hamasit dhe ndoshta do të mundësonte ringritjen e kapaciteteve të tij ushtarake. Hamasi madje mund të pretendojë fitoren, pavarësisht vdekjeve dhe dëmeve masive shkatërrimtare për civilët palestinezë që nga 7 tetori.

Por mijëra izraelitë kanë dalë të protestojnë javët e fundit duke u bërë thirrje udhëheqësve të tyre që ta pranojnë një marrëveshje të tillë, sepse kjo është ndoshta mënyra e vetme për të rikthyer pengjet. Ata e akuzojnë zotin Netanyahu se po pengon arritjen e një marrëveshjeje të tillë, sepse ajo mund t’i shtyjë aleatët e tij të ekstremit të djathtë ta rrëzojnë qeverinë e tij, duke i dhënë kështu fund karrierës së tij politike dhe duke e ekspozuar atë për t’u ndjekur penalisht për akuzat për korrupsion.

Përkrahësit e një marrëveshjeje të tillë thonë se do të kishte përfitime të tjera për Izraelin, përveç lirimit të pengjeve. Një konflikt me intensitet të ulët me Hezbollahun e Libanit ka të ngjarë të shuhet me lehtësimin e tensioneve rajonale, duke u lejuar dhjetëra mijëra njerëzve në të dyja anët e kufirit të rikthehen në shtëpitë e tyre. Dhe më në fund Izraeli mund të merret me shqyrtimin e dështimeve në fushën e sigurisë në 7 tetor.

Vendi gjithashtu do të mund të përgatitet për një tjetër raund të pashmangshëm luftimesh. Zoti Milshtein thotë se Izraeli duhet të pranojë idenë e Hamasit për një “hudna” – një periudhë e zgjatur qetësie strategjike. “Hudna nuk do të thotë një marrëveshje paqeje”, tha ai. “Është një armëpushim që mund të shfrytëzohet për t’u bërë më të fortë dhe për ta sulmuar pastaj befasisht armikun”. /Marrë nga VOA