Ndalojnë mjetin në mes të natës dhe i rrëmbejnë paratë drejtuesit, dy të arrestuar në Vlorë

Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Vlorës pasi akuzohen se i kanë grabitur me forcë një shumë monetare një shtetasi.

Operacioni i koduar “Sorm 15”, përfundoi me arrestimin e shtetasve Saimir Driza, 49 vjeç dhe Deljano Lushi.., 36 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Njoftimi:

I morën me forcë një shtetasi, një shumë parash dhe karta bankare, në rrugë, si rezultat i veprimeve intensive hetimore, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.

Sekuestrohen sendet e vjedhura, automjeti që autorët e dyshuar kanë përdorur për të kryer krimin dhe doza lënde narkotike cannabis që dyshohet se i posedonte njëri nga këta shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas njoftimit të marrë se dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kishin marrë me forcë, një shumë parash dhe disa karta banke, një shtetasi, në rrugë, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “Storm 15”, si rezultat i të cilit u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i 2 autorëve të dyshuar, shtetasve:

D., 49 vjeç dhe D. L., 36 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 02.04.2024, rreth orës 23:00, në afërsi të vendit të quajtur “Tregu i Orizit”, i kanë zënë rrugën me automjet, shtetasit A. T., dhe më pas i kanë marrë me forcë atij, një shumë parash dhe disa karta bankare.