
...
Kryedemokrati Lulzim Basha dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, janë ‘përplasur’ ditën e sotme në Kuvend lidhur me projektligjin për amnistinë penale.
Basha gjatë fjalës së tij tha se ky projektligj është një pazar anti-drejtësi mes PS dhe Rithemelimit, nga i cili sipas tij do të përfitojnë zyrtarët e korruptuar të dënuar nga GJKKO dhe nuk do të përfitojnë protestuesit kundër korrupsionit.
Nga ana tjetër, Manja tha se me ato që deklaroi, Basha i kishte thënë lamtumirë edhe profesionit të juristit.
Sipas Manjës, është e shkruar qartë se nga amnistia penale nuk preket askush i dënuar me vendim të GJKO-së.
Pjesë nga diskutimi:
Basha: Nga propozimi pothuajse asnjë protestues nuk përfiton. Ky pazar i ulët për amnistinë është një Pazar anti-drejtësi dhe anti-SPAK, ku përfitojnë të korruptuarit dhe dënohen ata që janë ngritur kundër korrupsionit, duke përfshirë zyrtarë të lartë që gjoja janë nën hetim parlamentar si ish-sekretarja e përgjithshme e shëndetësië.
Manja: Me këtë që sapo tha, zoti Basha i paska thënë lamtumirë edhe zanatit të juristit. Ky mirë që nuk e paska lexuar ligjin, por edhe kur e lexon e lexon nga e prapmja. I ka thënë lamtumirë zanatit, dhe nuk e di as vetë se çfarë është tani, politikan, jurist. Kështu që mos e merrni seriozisht. Të thuash që përfitojnë nga amnistia të dënuarit për korrupsion nga GJKKO kur është e shkruar e zeza mbi të bardhë, ka një kufij.