Bardhi: Me votën e Bashës, në 2014 ka pasur amnisti për krimin e organizuar

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha, i cili mëngjesin e sotëm përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se amnistia penale është një pazar mes PS dhe Rithemelimit, për të përfshirë në të edhe personat e dënuar, të hetuar nga SPAK.

Gjatë një daljeje për mediat, Bardhi tha se ka një traditë në Kuvendin e Shqipërisë për miratimin e amnistisë penale.

Ai tha gjithashtu se gjatë kohës që Basha ishte drejtues i opozitës, në vitin 2014 ka dhënë votën për amnistinë, e cila përfshinte edhe anëtarët e krimit të organizuar, gjë që sipas tij, opozita e sotme nuk e bën.

“Lajm i mirë që Basha ishte zgjuar që në orën 8. Sot është ditë e rëndësishme për Kuvendin, sepse kryeministri duhet të ishte në interpelancë për të dhënë llogari për dosjen Xibraka, por ka vendosur të dhunojë Kushtetutën.

Sa i përket amnistisë, ju e dini se ka një traditë të konsoliduar të Kuvendit në miratimin e amnistive herë pas here. Në rastin konkret Grupi Parlamentar i PD është kujdesur që drafti që votohet këtë vit për amnistinë, të jetë i njëjtë me draftet e viteve të kaluara, kur opozita drejtohej nga kolegu Basha, ka dhënë votën pro.

Por me 2-3 dallime thelbësore që janë edhe risitë që ka propozuar grupi jonë parlamentar. Së pari asnjë anëtar i krimit të organizuar nuk përfiton asnjë lloj manistie nga drafti që pritet të votohet nga Kuvendi, ndryshe nga sa ka ndodhur në vitin 2014, ku me votë edhe të Bashës, ka pasur amnisti të anëtarëve të krimit të organizuar”, tha Bardhi.