Bardhi i përgjigjet Olsi Ramës: Ishe në makinën e trafikantëve të kokainës!

“Të mendohesh 5 ditë për të bërë një letër qesharake si kjo e Edi/Olsi Ramës ndaj meje do të thotë se je në hall të madh” kështu e ka nisur reagimin e tij, Gazment Bardhi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në përgjigje të padisë së Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit të cilin e akuzon se ishte pjesë e grupit të trafikantëve të kokainës, që ndërtuan një laborator në Xibrakë.

Bardhi e pranon atë që thotë Olsi Rama se nuk ka dy të vërteta, por një të vërtetë dhe vazhdon duke përsëritur akuzën se Olsi Rama ishte personi i paidentifikuar nga policia dhe nga prokuroria, pjesë e grupit të trafikantëve të drogës. Kreu i grupit të deputetëve të PD-së thotë se është fakt se Olsi Rama ka udhëtuar me të njëjtin mjet që udhëtonin edhe trafikantët e drogës dhe e ka kaluar kufirin 7 herë nga 18 herë që kjo makinë ka dalë nga Shqipëria në Kosovë.

Pak më herët, Olsi Rama paditi në prokurori Gaz Bardhin për shpifje, duke thënë se nuk mund të ketë dy të vërteta dhe se, ose ai duhet të jetë në burg, ose Gaz Bardhi duhet dënuar për shpifje.

Përgjigjia e plotë e Gaz Bardhit për Olsi Ramën

Të mendohesh 5 ditë për të bërë një letër qesharake si kjo e Edi/Olsi Ramës ndaj meje do të thotë se je në hall të madh!!

Po! Nuk ka dy të vërteta! Ka vetëm një të vërtetë!

Fakti 1. Olsi Rama, bashkë me krerët e organizatës së kokainës, kanë përdorur të njëjtën makinë me targa AA653DM për të kaluar 18 herë kufirin në kohën ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakës.

Fakti 2. Është fakt, jo sajesë politike, se nga 18 hyrje-daljet e makinës me targa AA653DM të grupit kriminal, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës.

Fakti 3. Është fakt dhe jo sajesë politike se policia dhe prokuroria nuk ka identifikuar një përdorues të makinës me targa AA653DM, edhe pse i ka identifikuar moshën 45 vjeç. Olsi Rama është përdorues i kësaj makine dhe në atë periudhë ka qenë fiks 45 vjeç.

Fakt 4. Policia dhe Prokuroria sipas gjykatës kanë kryer hetime të mangëta dhe kanë lënë në harresë dosjen 335/1-2016 që kishte si qëllim të identifikonte bashkëpunëtorët e tjerë të grupit kriminal.

Nga ana njerëzore, ndiej keqardhje për Olsi Ramën. I vëllai, për të shpëtuar nga përgjegjësia, po e përdor edhe atë si çdo bashkëpunëtor që ka keqpërdorur dhe e ka hedhur më pas prapa hekurave!

Politikisht, kam një kërkesë për Edi Ramën! Mos u fshih pas vëllait më të vogël! Në parlament të enjten ke gjithë kohën për të treguar çfarë bënte yt vëlla me makinën që përdorte grupi i kokainës! Harroje se mund të bësh edhe me SPAK siç bëre me dy prokurorët që mbyllën sytë dhe dosjen bashkë me sytë!