Vdekja e pestë pas marrjes së suplementeve për uljen e kolesterolit në Japoni

Kompania farmaceutike japoneze Kobayashi njoftoi sot se është konfirmuar vdekja e pestë, ndoshta e lidhur me konsumimin e një suplementi ushqimor me maja të kuqe që prodhon dhe se ende nuk ka identifikuar substancën që mund të jetë përgjegjëse për shkaktimin e problemeve shëndetësore të raportuara nga qindra përdorues.

Sipas kompanisë, pesë personat që vdiqën ishin nga 70 deri në 90 vjeç. Kompania ka tërhequr suplementet e saj “beni-koji choleste help” për uljen e kolesterolit.

“Kërkojmë falje për telashet që shkaktuam”, tha presidenti i kompanisë Akihiro Kobayashi në një konferencë shtypi në Osaka, raporton Kyodo.

Kobayashi tha se substanca në fjalë “mund të ketë ardhur nga myku, por struktura e saj (kimike) ende nuk është përcaktuar”.

Një zyrtar i lartë i kompanisë tha se rreth 680 persona kanë qenë ose po kërkojnë tashmë trajtim ambulator për simptomat që dyshohet se lidhen me përdorimin e suplementit dhe kompania do t’i dëmshpërblejë ata, si dhe 114 personat që u shtruan në spital.