... Nami.al

“Bashkia s’ka paguar internetin e kamereve, a po pengohen hetimet për dy të zhdukurit në Sarandë?”

Që prej pothuajse një muaji, Leonard Theodhori i njohur si “Koçole” dhe miku i tij Fatmir Sulovari (Krasniqi) rezultojnë të zhdukur në mënyrë të mistershme.

Sipas gazetarit, Spartak Koka, zbardhja e zhdukjes së “dy të fortëve” të Sarandës po pengohet pasi thuhet se kamerat e sigurisë nuk punojnë. Ai thotë se kamerat në bashkinë e Sarandës nuk punojnë pasi bashkia nuk ka paguar internetin për funksionimin e tyre.

Gazetari më tej thotë se kamerat e vendosura pranë zonës ku është gjetur e braktisur makina me të cilën dyshohet se janë rrëmbyer dy 46-vjeçarët, janë me rezolucion shumë të lartë dhe ofrojnë pamje 360 gradë.

Ai ngre pyetje mbi transparencën që po iu ofrohet familjarëve të të zhdukurve, pasi ata janë të parët që duhet ta dinë se çfarë ka ndodhur me fatin e tyre.

Kamerat në Bashkinë e Sarandës nuk kishin punuar në gjithë atë periudhë pasi nuk ishte paguar interneti nga ana e Bashkisë. Megjithëse Saranda është e monitoruar dhe po ta shikosh me sy ka shumë kamera të vendosura, atëherë paradoksalisht na del që kamerat të cilat taksapaguesit paguajnë, nuk kanë regjistruar. Për çfarë shërbejnë këto kamera? Kamerat të cilat janë vendosur në kryqëzimin e rrugës nga Ksamili në rrugën që të çon në zonën e Çukës ku 200 metra më tutje është lënë e parkuar në mënyrë të çrregullt makina. Atëherë kush i ka këto kamera? Janë kamera të një rezolucioni shumë të lartë dhe janë të vendosura në të njëjtën shtyllë që kanë pamje të plotë 360 gradë. Kush i administron këto kamera? Kush i disponon? Të kesh një lloj mungese transparence, jo me ne [gazetarët], por me familjarët, unë besoj se është e tepërt.