...
Presidenti Donald Trump u ka dërguar një mesazh të prerë protestuesve iranianë, duke u zotuar se “ndihma po vjen” dhe duke kërcënuar regjimin e Teheranit me pasoja të rënda për shtypjen e përgjakshme të revoltave.
Përmes një reagimi në rrjetin Truth Social, Trump u bëri thirrje patriotëve iranianë që të mos ndalen, të marrin nën kontroll institucionet e tyre dhe të mbajnë shënim emrat e dhunuesve, pasi sipas tij, ata do të paguajnë një çmim të lartë.
Ai njoftoi gjithashtu se ka anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa të ndalet vrasja e pakuptimtë e qytetarëve.
Ky reagim i ashpër vjen në një moment kritik, ndërkohë që grupet e të drejtave të njeriut raportojnë se regjimi pritet të ekzekutojë një protestues këtë të mërkurë.
Situata në vend mbetet tepër e tensionuar, me raportime që flasin për rreth 2 mijë persona të vrarë gjatë demonstratave që kanë përfshirë kombin.
Për shkak të kësaj dhune, Uashingtoni u ka kërkuar të gjithë shtetasve amerikanë që të largohen menjëherë nga Irani.
Ndërkohë, pas një bllokimi total të komunikimeve, autoritetet iraniane kanë lehtësuar disi masat duke lejuar telefonatat me jashtë, por kontrolli mbi internetin mbetet i rreptë.