... Nami.al

“Ishte në mënyrë figurative”, Trump flet për pretendimin e tij se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë ditën e parë si President

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi gjatë intervistës me revistën Time, se pretendimi për fundin e luftës në Ukrainë brenda ditës ishte “figurativ”.

“Ju thatë se do ta përfundonit luftën në Ukrainë në Ditën e Parë?”, e pyeti gazetari Eric Cortellessa.

“Epo, e thashë këtë në mënyrë figurative dhe e thashë si ekzagjerim. Natyrisht, njerëzit e dinë se kur e thashë këtë, u tha me shaka, por u tha gjithashtu se do të përfundojë”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Në mars, presidenti amerikan deklaroi po ashtu se u tregua “pak sarkastik” kur mburrej vazhdimisht në fushatën e tij presidenciale të vitit 2024 se mund ta përfundonte luftën në Ukrainë vetëm brenda 24 orësh dhe madje edhe para se të merrte detyrën.

“Epo, po tregohesha paksa sarkastik kur e thashë këtë”, u shpreh Trump. “Ajo që dua të them vërtet është se do të doja që çështja të zgjidhej dhe, mendoj, mendoj se do të kem sukses”.