
...
Lorenc Palokaj, kushëriri i reperit të ndjerë, Mentor Palokaj, ka ndarë disa detaje, një javë pasi ky i fundit u gjet i vdekur në një banesë në Prishtinë.
Përmes një postimi të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, Lorenci ai ka treguar shkaqet që mund të kenë çuar tek vdekja e reperit.
Ai pohoi se kishte qenë pranë tij në tre javët e fundit të reperit “Tee”.
Siç pretendon Lorenci, vdekja e tij në moshën 42-vjeçare, me shumë gjasa, mund të ketë qenë rezultat i një neglizhence mjekësore.
Sipas tij, shenjat kanë qenë aty, por që Mentori i ka neglizhuar.
Ai përmend një bisedë që kishin pasur pesë ditë para vdekjes, ku Mentori kishte përmendur se i ishin fryrë këmbët.
“Kam pasur fatin që tri javët e fundit të jetës së tij t’i kaloj pranë tij. Pesë ditë para se të ndodhte kjo ngjarje, gjatë një bisede, ai më tha se i ndiente këmbët pak të fryra. E tha këtë në mënyrë të tërthortë, pa e bërë temë, dhe unë mendova se ishte diçka e zakonshme, si një lodhje e momentit apo një shqetësim jo serioz. Në vijim, ai kurrë nuk e përmendi më këtë problem, as me mua dhe as me vëllain e tij. Një ditë para vdekjes, më përcolli në aeroport dhe atë ditë diçka nuk ishte si zakonisht. U falëm dy herë së bashku, dhe mënyra se si më shikoi atë ditë ishte ndryshe. Ishte një shikim i thellë, sikur ta dinte se ajo do të ishte hera e fundit që do të takoheshim. Gjatë gjithë udhëtimit, ndjeva sikur më shoqëroi me vështrimin e tij. Në këto ditët më të errëta të jetës sime, morëm vesh nga një i afërm i tij se ai kishte qenë te mjeku dhe rezultatet nuk kishin dalë mirë në lidhje me zemrën e tij. I kishin thënë se duhej të shkonte në spital. Por kushdo që e ka njohur Mentorin, e di që ai kurrë nuk do t’i nënshtrohej kësaj situate. Ai e jetoi jetën sipas mënyrës së tij, pa i diktuar askush se si ta jetonte, madje as vdekja nuk mundi t’ia diktonte ditën e fundit të jetës.
Duket qartë se ai e kishte ndier diçka në ditët e fundit, por kishte zgjedhur ta mbante për vete, duke mos dashur të shqetësonte të tjerët. Shikimi i tij i fundit dhe mënyra si më përshëndeti në aeroport duket sikur la pas një mesazh të heshtur, një lamtumirë të pashprehur me fjalë, por të ndjerë thellë. Është e vështirë të pranosh një humbje të tillë, veçanërisht kur e kupton pas ngjarjes se kishte shenja që nuk i lexova plotësisht në kohë.
Nuk munda deri tani të gjej se te cili doktor ka qenë dhe çfarë diagnoze ka pasur Mentori muajt e fundit. Dëshira ime më e madhe është ta di këtë për ta kuptuar situatën dhe për të kuptuar se çfarë ka ndjerë në ditët e fundit.
Jo, unë jam 1000% i sigurt që shkaku i vdekjes s’ka qenë qysh po spekulojnë mediat e pandërgjegjshme, po kan qen probleme shëndetsore. Krejt ata që e kanë njohur, e dinë çka po them. Jam krenar që kam jetuar në kohën tënde dhe kam pasur mundësinë të rri me ty edhe se je i gjakut tim!”