
...
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi sot konfiskimin e pjesshëm të aseteve të Armando Doçajt, i akuzuar si pjesë e organizatës së narkotrafikut të kokainës në Danimarkë dhe vendet e BE-së nga Amerika Latine, e drejtuar nga Astrit Beqiraj.
Bëhet fjalë për konfiskimin e 6 pasurive, mes të cilave 4 llogari bankare me shumën totale 4 mijë euro, një apartament dhe një njësi shërbimi.
Vendimi është marrë ditën e sotme (7 mars), pas kërkesës së SPAK. Gjyqtari Erjon Çela, pasi shqyrtoi kërkesat e palëve, vendosi që një prej këtyre pasurive të mos konfiskohej dhe bëhet fjalë për një apartament të porositur.
SPAK kishte kërkuar dhe nisur prej 28 prillit 2023 hetimin pasuror ndaj Doçajt dhe të tjerëve, me objekt: “konfiskim i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme”.
Më herët, më 5 maj 2021, GJKKO kishte pranuar sekuestron preventive mbi 7 pasuritë e të proceduarit dhe personave të tjerë të lidhur me të, të afërmit Pjetër Doçaj, Roberta Doçaj dhe Shkëlzen Doçaj.
GJKKO vendosi sot për:
-Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si më poshtë:
1-Shuma monetare prej 1976 euro e ndodhur në llogarinë card krediti me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të shtetasit Armando Pjetër Doçaj.
2-Shuma monetare prej 551 euro e ndodhur në llogarinë card krediti me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të Roberta Mhill Doçaj.
3-Shuma monetare prej 1000 euro e ndodhur në llogarinë e kursimit me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të shtetasit A.D.
4-Shuma monetare prej 456 euro e ndodhur në llogarinë (karte e parapaguar) me Nr. ****, në emër të shtetasit K.D.
5-Pasuri e paluajtshme Nr. ****, Z.K. ****, pasuri e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe 134 m2, me adresë, ****.
6-Apartament me sipërfaqe 122.58 m2, me adresë ****, përfituar sipas kontratës për kalim të drejtash pronësie dhe premtim shitje Nr. Rep./kol. ****, datë ****, me palë blerëse shtetasin Armando Pjetër Doçaj dhe palë shitëse shtetasit E.B dhe E.B, me çmim blerje në shumën 20.000 euro.
7-Heqjen e masës parandaluese me karakter pasuror atë të “sekuestrim i pasurisë” e caktuar me vendimin nr. 12, dt. 04.05.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së
Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizua dhe kthimin e pasurisë së mëposhtme personave që ju takon: Apartament me sipërfaqe 116.83 m2, përfituar
sipas kontratës së sipërmarrjes Nr. Rep./kol. ****, datë **** lidhur midis palëve: shoqëria “XH&M” Shpk në cilësinë e investitorit dhe Pjetër Ndue Doçaj me
cilësinë e porositësit, me çmim 46 732 euro.