... Nami.al

Plani Macron-Starmer: Nuk do dërgojmë trupa në Ukrainë

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron propozojnë një armëpushim një-mujor në Ukrainë si një hap drejt një marrëveshjeje të mundshme paqeje. Plani i tyre i paqes parashikon një “armëpushim në ajër, në det dhe në zonën e infrastrukturës energjetike” si masa e parë e de-përshkallëzimit. Plani është bërë i ditur nga Emmanuel Macron për gazetën franceze “Le Figaro”.

Armëpushimi i propozuar nga Macron dhe Starmer me sa duket nuk do të ndikonte në luftimet tokësore në frontin në Ukrainën lindore. Sipas Macron, avantazhi i një koncepti të tillë është se shkeljet e një armëpushimi kaq të kufizuar do të ishin më të lehta për t’u verifikuar. Fronti në Ukrainën lindore është jashtëzakonisht i gjatë – “ekuivalenti i rrugës Paris-Budapest”, tha presidenti francez.

Një armëpushim i tillë duhet të krijojë hapësirë për zgjidhje diplomatike dhe të vendosë bazat për negociata. Ata duan paqe në Ukrainë, por jo me çdo çmim, paralajmëroi Macron. Ai theksoi se garancitë e sigurisë janë thelbësore.

Në intervistë, Macron e bën të qartë se plani i propozuar në samitin e Ukrainës në Londër për të vendosur trupa evropiane në tokën ukrainase do të konsiderohet vetëm pasi negociatat të kenë pasur sukses dhe të ketë një armëpushim të qëndrueshëm midis Ukrainës dhe Rusisë. “Nuk do të ketë trupa evropiane në tokën ukrainase në javët e ardhshme”, theksoi Macron.

“Pyetja është se si e përdorim këtë kohë për të arritur një armëpushim të arritshëm, me negociata që do të zgjasin disa javë dhe më pas, pasi të nënshkruhet paqja, një dislokim i trupave”, shtoi Macron. “Ne duam paqe”, por jo “me çdo çmim, pa garanci”. Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Donald Trump deri më tani kanë refuzuar të japin garanci sigurie për Ukrainën, e cila ka frikë se do të sulmohet përsëri nga Rusia edhe pas paqes.

Nga ana e saj, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen njofton një plan për të “riarmatosur Evropën”. Ajo tha në Londër se do të paraqesë planin për forcimin e sigurisë evropiane në një samit të BE-së në Bruksel javën e ardhshme. “Ne të gjithë e kuptojmë se pas një periudhe të gjatë nën-investimi, tani është me rëndësi të madhe rritja e shpenzimeve të mbrojtjes për një periudhë të qëndrueshme. Bëhet fjalë për sigurinë e Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Përshkrimi i imazhit