... Nami.al

E dhunuan barbarisht dy persona, Arben Çipa paralajmëron: Në Sarandë është krijuar një situatë si ’’Cosa Nostra’’!

Kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Arben Çipa ka reaguar në lidhje me sulmin që i ndodhi ditën e premte në zonën e Heremecit.

Deklaratën e tij ai e ka dhënë në Euronews Albania, duke shprehur se ai është një njeri paqësor, pasi sipas tij ai i shmang gjithmonë konfliktet.

Gjithashtu, biznesmeni ka thënë se u detyrua nga situata të përjetonte sulmin makabër, duke iu bërë thirrje institucioneve për marrjen e masave për evitimin e këtyre situatave.

Ndër të tjera, ka shpjeguar për sulmin, teksa ka shprehur se duke shkuar në punë ai është ndaluar në rrugë dhe më pas kanë filluar ta ofendojnë dhe godisnin me grusht gjithashtu dhe me gura.

Sakaq, gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar, ndërsa dëmtimet në fytyrë janë serioze, teksa shpreson se me kalimin e kohës do të përmirësohet.

“Unë jam person paqësor dhe distancohem nga çdo lloj provokimi dhe nuk dua të përfshihem në konflikte, por fatkeqësisht, ndodhi ajo që tashmë është bërë publike në media. Nuk ishte dëshira ime që kjo të ndodhte, as nuk e bëra unë publikimin, por situata rrodhi në atë mënyrë. Shoqëria dhe institucionet duhet të ndërgjegjësohen dhe të marrin masa të vazhdueshme për të eliminuar këto probleme, të cilat janë kthyer në një gangrenë për qytetin tonë.

Në një moment, ndërsa po kaloja pranë zonës për të shkuar në biznesin tim, ata më ndaluan në rrugë, filluan të më shanin dhe më goditën, fillimisht me grushte dhe më pas edhe me gurë. Dëmtimet e mia fizike filluan pikërisht në atë moment. Aktualisht, ndodhem në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Dëmtimet në fytyrë janë serioze dhe ky është shqetësimi kryesor për momentin, megjithatë, besoj se me kalimin e kohës do të përmirësohem. Nuk është vetëm çështja ime – janë qindra raste të ngjashme që më raportohen çdo ditë nga qytetarë që ndihen të pambrojtur. Nëse as unë nuk mund të gjej drejtësi, çfarë mund të ndodhë me qytetarët e thjeshtë. Në Sarandë, disa individë kanë krijuar një situatë të ngjashme me ‘Cosa Nostra’, veçanërisht në lidhje me pronësitë. Dua ta theksoj publikisht këtë problem, pasi kam marrë qindra e mijëra mesazhe nga industria e turizmit, ku më raportohen vështirësi dhe pengesa të shumta nga këta persona, është shprehur ai.

Rikujtojmë që sulmi makabër ndaj biznesmenit Arben Çipa, 52 vjeç nga Saranda ndodhi ditën e premte, konflikti i cili ka nisur pasi kundërshtoi një projekt energjetik në zonën e Heremecit.

Ngjarja ndodhi në zonën mes Sarandës dhe Kakomesë, ndërsa policia ka arritur të arrestojë një nga autorët, Dioment Musa, por kushëriri i tij, Markelian Musa, është shpallur në kërkim.

Dy personat e përfshirë në ngjarje rezultojnë me precedentë penalë. Dioment Musa, një biznesmen në fushën e ndërtimit dhe lokaleve të natës, ka qenë i ndaluar më parë për plagosje dhe armëmbajtje pa leje, por është liruar nga gjykata. Ndërsa kushëriri i tij, Markelian Musa, ka precedentë për falsifikime.

Përshkrimi i imazhit