
...
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë sot një reagim tjetër nga qelia e paraburgimit në Durrës.
Pa “kursyer” prokurorin e çështjes, Ols Dado, Veliaj rithekson se i është privuar liria pa gjyq dhe me një akt-akuzë absurde.
Pikërisht në përgjigje të kësaj të fundit, rreshton një sërë argumentesh sa i takon dhënies së lejeve të ndërtimit në Tiranë.
Duke përmendur pjesë nga dosja e ngritur kundër tij, Veliaj thotë se Dado ka quajtur korrupsion faktin se biznesmeni Shkëlqim Fusha ka marrë punë nga Bashkia Tiranë dhe në këmbim i ka dhënë 9 mijë euro dy avokateve, që njiheshin me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, për një projekt në jug të vendit.
“Konsulenca e një sipërmarrësi të nderuar si Shkëlqim Fusha, me dy avokate që ushtrojnë lirinë e profesionit pa lejen e Nesti Dados, për një projekt në jug, rezulton në akt-akuzën ndaj meje si korrupsion në Tiranë! Pra, me durim: Viktima e Nesti Dados për shkakun tim, që kurrë s’kam dhënë e marrë me të asnjë favor të asnjë natyre, Shkëlqim Fusha, ka paguar dy avokate. 9 mijë euro! Për punët e tij në Vlorë e Himarë. Por, meqë këto të dyja njihen me avokaten që kam në shtëpi, pra Ajolën, ky është korrupsion, sepse Shkëlqimi ka marrë punë nga bashkia dhe të njohurat e sime shoqeje kanë marrë punë nga Shkëlqimi”, thekson Veliaj.
“Kuptuat gjë? Me siguri po thoni po flet përçart Lali, por jo, fatkeqësisht këto Lali i ka dëgjuar nga Kafka i tij atë ditë, kur i vajta në audiencën haluçinante, dhe i ka lexuar në dosjen që Kafka i dorëzoi Kasapit dhe Kasapi i vuri vulën e arrestit me burg. Domethënë, Fusha në Yrshek ka bërë një kat shtëpi fshati për një nevojtar që kërkonte sevap; në Shesh ka marrë hakën pas garancisë që vetë vuri e që i takon; dhe në shërbimin e pastrimit ka marrë kusurin, pasi janë zbritur punët e pakryera”, nënvizon kryebashkiaku i Tiranës.
Ai gjithashtu i kujton prokurorit kur e telefononte për lejen e ndërtimit.
“Ishalla s’është gjithë SPAK-u violinë e prishur, si ky kastraveci që më ra mua për hise, se pastaj i bie që të kemi nxjerrë sytë për të vënë vetulla. Në vend të hakut njeh “hakmarrjen” për katet që s’i takonin kur telefononte me atë zërin si violinë në sordinë “o kryetar, si i bahet me atë lejen time?” dhe si kusur ai kupton shërbimet banale me letra anonime!”, shkruan Veliaj.