
...
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nuk mendon se homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelenksy, është i rëndësishëm për të qenë i pranishëm në bisedimet për paqen me Rusinë.
“Nuk mendoj se është shumë i rëndësishëm për të qenë në takime. Ai e bën më të vështirë që të arrihen marrëveshje”, tha Trump në një intervistë për Fox News.
Madje Trump mendon se Zelensky nuk ka asnjë “kartë” në duar për momentin.
“E kam parë të negociojë pa kartë në dorë. Nuk ka asnjë kartë dhe kjo të lodh… e kam parë këtë”, thotë ai.
Presidenti i Amerikës e ka krahasuar ndër të tjera Ukrainën me Gazën, ndërsa për udhëtimin e Sekretarit të Thesarit Scott Bessent në Kiev u shpreh se ishte “udhëtim i harxhuar kot, i rrezikshëm” dhe që nuk e pëlqeu.
Por nuk u ndal me kaq.
Akuza hodhi edhe ndaj presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik Keir Starmer se nuk kanë bërë asgjë për t’i dhënë fund luftës.
“Ata nuk bënë asgjë, asnjë takim me Rusinë. Nuk kanë bërë asgjë”, tha Trump për Fox kur u pyet në lidhje me takimet që do të zhvillojë me Macron dhe Starmer.
“Macron-in e kam mik”, vijoi Trump duke shtuar se Starmer “është një djalë shumë i mirë”, por asnjëri prej të dyve nuk ka bërë gjë në lidhje me Rusinë.
“Ata nuk bënë asgjë për t’i dhënë fund luftës. Lufta po vazhdon, nuk ka takime me Rusinë, nuk ka asgjë. Ata nuk kanë bërë asgjë. Macron është miku im, dhe unë jam takuar me kryeministrin, ai është një djalë shumë i mirë… [por] askush nuk ka bërë asgjë. Unë kam vite që e shikoj këtë situatë duke vazhduar dhe po e bëj për një arsye, e urrej vrasjen. Unë e urrej të shoh ata të rinj të vrarë”, tha Trump në një intervistë për Fox News.