... Nami.al

Xhamia e Ballies në Elbasan fiton çmimin ndërkombëtar si ndërtesa më e bukur e 2025-ës

Xhamia Ballies në Elbasan është shpallur fitues e çmimit ndërkombëtar si ndërtesa më e bukur në botë për vitin 2025 në kategorinë e objekteve të kultit.

Xhamia ka një sipërfaqe rreth 1900 metra katrorë dhe përbëhet nga katër kate, në të cilat përveç vendit të faljes përfshihen edhe sallat e konferencave dhe zyrat e stafit të Myftinisë Elbasan.

Xhamia e Ballies shquhet për një dizajn inovativ që kombinon mjeshtërisht traditën islame me elemente moderne, duke krijuar një hapësirë unike dhe frymëzuese për besimtarët dhe vizitorët. Arkitektura e saj përfaqëson një qasje të re dhe të avancuar në ndërtimin e objekteve të kultit, duke ruajtur identitetin dhe vlerat kulturore, por edhe duke u përshtatur me kërkesat dhe estetikën bashkëkohore.

Xhamia e Ballies është një ndër objektet më të lashta në Elbasan e cila u ndërtua nga Hasan Balliu në vitin 1608 në qendër të qytetit të Elbasanit.

Regjimi komunist në 1967 urdhëroi prishjen e saj. Ajo ka qenë simbol i Elbasanit, nga më të bukurat dhe të vjetrat. Është quajtur ndryshe “xhamia blu” për bukurinë dhe madhështinë që ka pasur. Pas shumë vitesh Xhamia e Ballies u ringrit shumë më madhështore se e vjetra në qendër të qytetit të Elbasanit dhe është kthyer në identitet. Elementi më tërheqës i xhamisë së shkatërruar në kohën e regjimit komunist ishte minareja që konkurronte të gjitha të tjerat me modelimin dekorativ origjinal të saj.

Sot xhamia e rindërtuar ka të përshtatur klasiken me modernen. Ka salla për abdesë, për faljen e grave dhe ambient për faljen e burrave. Kapaciteti është 1500 besimtarë vetëm brenda, por ka dhe hapësirë jashtë.

Presidenti Bajram Begaj ka përshëndetur vlerësimin me çmimin prestigjoz për këtë objekt kulti në vendin tonë.

“Urime për Xhaminë e Ballies – Fituesja e Çmimit Ndërkombëtar për Arkitekturën më të Bukur në botë, në konkursin ndërkombëtar “Building of the Year 2025”, shprehet Begaj.

Përshkrimi i imazhit