... Nami.al

Macron dhe Starmer nisen për në SHBA, Scholz kritikon Trump: E rrezikshme ta quash Zelenskyn “diktator”

Kancelari gjerman Olaf Scholz është i pari në radhët e liderëve europianë që ka reaguar pas përplasjeve të ashpra që patën sot, Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zelensky është kreu i zgjedhur i shtetit të Ukrainës, theksoi kancelari gjerman.

Scholz tha se ishte “e gabuar dhe e rrezikshme” për presidentin e SHBA-së, Donald Trump, që ta quajë udhëheqësin ukrainas “diktator” .

“Është thjesht e gabuar dhe e rrezikshme t’i mohosh Presidentit Zelensky legjitimitetin e tij demokratik”, tha Scholz për Spiegel.

“Volodymyr Zelensky është kreu i zgjedhur i shtetit të Ukrainës. Fakti që zgjedhjet nuk mund të mbahen në mes të luftës është në përputhje me kërkesat e kushtetutës së Ukrainës dhe ligjeve zgjedhore. Askush nuk duhet të pretendojë të kundërtën”, vuri në dukje Scholz.

Kancelari gjerman kujtoi se ishte Rusia nën drejtimin e Vladimir Putin që filloi luftën në Ukrainë. “Ukraina e ka mbrojtur veten kundër një lufte të pamëshirshme agresioni rus për gati tre vjet. Ditë për ditë”, shtoi ai.

Edhe kryeministri britanik Keir Starmer ka paralajmëruar Presidentin amerikan Donald Trump që “mos t’ia kthejë shpinën” Ukrainës. Sipas tij, Europa po përballet me një moment që e prek të gjithë kontinentin. Në një mesazh të fuqishëm drejtuar Trump ai thotë se “garancia” e Shteteve të Bashkuara është rruga e vetme për të ndaluar agresionin e Vladimir Putinit. Ai ka sugjeruar që SHBA-të të ndërmarrë një hap mbrapsht nga veprimet e fundit.

“Duhet të marrësh përgjegjësi siç i takojnë një lideri, të garantosh paqen nëse tashmë është arritur një marrëveshje. Europa do luajë rolin e saj dhe unë jam i përgatitur që forcat britanike të jenë në Ukrainë, por Amerika është garancia për t’i dhënë fund agresionit rus.”

Sakaq, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer do të vizitojnë Uashingtonin javën e ardhshme, ku mes takimeve të tjera synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.

Këtë e njoftoi këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Walz.

Kur u pyet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, Waltz tha në një intervistë për rrjetin konservator Fox News: “Ne po flasim me të gjitha palët dhe pastaj hapi tjetër është krijimi i grupeve teknike për të filluar diskutimin e më shumë detajeve”.

Përshkrimi i imazhit