... Nami.al

Rama: Ajo që ka ndodhur me Veliajn, ka kaluar çdo limit

Kryeministri Edi Rama thotë se arrestimi i Erion Veliajt me urdhër të SPAK “ka kaluar çdo limit”.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë për 105 vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, Rama akuzoi SPAK-un për burgosjen e Veliajt duke thënë se ndaj tij nuk ka një akuzë për korrupsion.

Rama tha se Veliajt i është bërë hetim familjar dhe si person, dhe shtoi se dyshon që hetimi i SPAK është “jashtë shinave” të Kushtetutës së Shqipërisë.

Për burgosjen e Veliajt, Rama e quajti si jo-normale, pasi sipas tij, “nuk ka një flagrancë, nuk ka një krim, nuk ka një urgjencë, nuk ka një rrezik shoqëror”.

Pjesë nga deklarata e Ramës:

Ajo që ka ndodhur dje, ka kaluar çdo limit, në raport jo me të drejtën absolute të mbështetur nga ne, por në raport me ndarjen e domosdoshme të pushteteve dhe me domosdoshmëri që një pushtet i zgjedhur t’i japësh mundësi të ushtrohet për të gjithë kohën që hetohet. Nuk dua të sjell shembull nga e gjithe Europa, por paraburgimi është një fenomen sui generis me të cilin ballafaqohemi ne këtu.

Thënë të gjitha këto, ne nuk kemi asnjë diskutim për ta vazhduar luftën ndaj korrupsionit. Sot gjendemi në kushtet kur nuk kemi një akuzë për korrupsion dhe një hetim mbi korrupsion. Por është hetuar një person, jeta e një njeriu, e familjes së tij, si rezultat i një novele dhjetra e dhjetra faqe anonime, të depozituar në shkurt të vitit të kaluar.

Në fund të fundit kam privilegjin të jem udhëheqësi i forcës më të madhe, dhe e kam të pamundur të mos e them se bëhet një linçim dhe pastaj bëhet një heqje e kokës tre muaj para zgjedhjeve. Për mua kjo nuk është normale, nuk ka një flagrancë, nuk ka një krim, nuk ka një urgjencë, nuk ka një rrezik shoqëror. Ka një hetim për jetën e kryetarit të Bashkisë. Sa një gjë e tillë është në shinat e Kushtetutës, kjo nuk më takon mua ta them, por dyshimet janë se është jashtë shinave të Kushtetutës. Dhe sot, vetëm një idiot mund të na thotë që ne kontrollojmë drejtësinë, vetëm një i pafytyrë mund të na thotë që ne nuk i kemi dhënë pavarësinë drejtësisë.

Përshkrimi i imazhit