... Nami.al

Shtrenjtohen sërish paketat e cigareve, shkak rritja e akcizës së duhanit

Cigaret do të kushtojnë më shtrenjtë për duhanpirësit për gjatë këtij viti. Bazuar në kalendarin e akcizës të miratuar nga Ministria e Financave, edhe këtë fillim vit ka nisur të reflektohet rritja e çmimit të paketave në dyqanet e pakicës për disa marka dhe të tjerat pritet t’i rrisin në vijim. Deri më tani rritja është mesatarisht 10 lekë për paketë.

Njoftimi për vendosjen e çmimeve maksimale të shitjes është bërë edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga disa kompani, për shkak të detyrimit që rrjedh nga ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Aktualisht paketa më e shtrenjtë në treg shitet me çmimin maksimal 500 lekë.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, importi i cigares ka një rënie në 11 mujor në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u regjistruar një sasi prej 2844 ton të importuara përgjatë Janar-Nëntor, nga 2924 ton që regjistron e njëjta periudhë e një viti më parë, por ka një rritje të lehtë përgjatë muajt Nëntor në krahasim me Nëntorin 2023, muaj në të cilin u importuan 274 ton cigare.

Qeveria parashikon të rrisë edhe më tej taksën e akcizës për produktet e duhanit. Referuar strategjisë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, në vendin tonë për disa mallra të akcizueshme sikurse janë duhanet, nuk aplikohet skema e kombinuar e taksimit që përfshin edhe një tarifë specifike akcize për njësi produkti, por edhe një tarifë me përqindje akcize mbi çmimin e shitjes së produktit. Kjo skemë e kombinuar aplikohet në disa vende. Për këtë arsye, strategjia parashikon që më vitet në vijim, pas përfundimit të kalendarit të rritjes së akcizës 2022-2026, do dizenjohet kalendari i ri i cili do marrë në konsideratë skemën e taksimit që kombinon sistemin me kuotë fikse me atë të vlerës.

Direktiva e BE-së parashikon që niveli i akcizës duhet të jetë jo më i ulët se 90 Euro/1000 fije.

Të ardhurat në buxhet nga akciza e duhanit, listohen si zëri i dytë me peshën më të madhe në të ardhurat totale doganore, pas karburanteve.

Përshkrimi i imazhit