...
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka për shpalljen komunikimeve në aplikacionin e “SKY ECC” si antikushtetuese.
Pëllumb Gjoka, i arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Metamorfoza”, akuzohet për një sërë veprash penale të rënda, disa prej të cilave u arritën të zbardhen falë komunikimeve që ai kishte realizuar përmes kësaj platforme me personazhe të botës së krimti.
Gjykata Kushtetuese vendos kështu një precedent për pranimin e komunikimeve të platformave të enkriptuara si “SKY ECC” apo “EncroChat” në proceset gjyqësore, siç kanë bërë më parë edhe vende të tjera të Bashkimit Europian, duke përfshirë edhe atë të Strasburgut.
Avokatë dhe të pandehur kanë pretenduar vazhdimisht se komunikimet e “SKY ECC” nuk duhet të pranohen për shkak të mënyrës se si janë përfituar.
NJOFTIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE:
Sot, më 30.12.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Pëllumb Gjoka dhe me objekt: “ Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krim in e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit. Shfuqizimi ishkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.