...
Tetë persona kanë humbur jetën pasi një strehë prej betoni të armuar në hyrje të një stacioni treni në qytetin serb të Novi Sadit, është shembur. Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç tha se dy persona të tjerë u shtruan në spital me lëndime të rënda, ndërsa shpëtimtarët kontaktuan me dy individë të cilët janë ende nën rrënoja.
“Tetë trupa janë nxjerrë nga rrënojat, dy persona janë në spital, por gjendja e një personi është shumë e rëndë dhe këmbët i janë amputuar. Jemi në kontakt me dy persona nën rrënoja. Aktualisht po punojmë për nxjerrjen e tyre. Do të shohim se çfarë tjetër do të gjendet nën rrënoja”, tha Daçiç.
Ndër personat me të cilët po komunikojnë ekipet e shpëtimit, të cilët ende nuk janë nxjerrë jashtë, është një grua dhe një vajzë rreth 14 vjeç, tha ai.
Daçiç theksoi se afro 80 shpëtimtarë nga disa qytete po marrin pjesë në shpëtim. “Aksioni është jashtëzakonisht i vështirë dhe do të zgjasë edhe disa orë të tjera”, tha ai.
Ekuipazhet e urgjencës ndodhen në vend ndërsa buldozerët pastrojnë rrënojat në kërkim të të mbijetuarve.
I pyetur se kush është përgjegjës për aksidentin, ai tha se tani vëmendja duhet të jetë në shpëtimin e njerëzve nga rrënoja.
“Kjo është një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës së Novi Sadit dhe një tragjedi e tmerrshme. Në emër të Qeverisë dhe të gjithë qytetarëve të Serbisë, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave. Dhe për të falënderuar të gjithë shpëtimtarët që po luftojnë për të ndihmuar njerëzit nën rrënoja”, tha kryeministri serb Miloš Vučević.
Ai shtoi se do të insistojë që të gjenden përgjegjësit dhe ata që duhet të paralajmërojnë autoritetet se disa gjëra duhet të rregullohen.