
...
Pas sulmit terrorist në Ankara, ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën 22 të tjerë, kanë ardhur reagime nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
Në një konferencë për shtyp, Këshilltari për Komunikimet e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, shprehu solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me viktimat e sulmit. “Zemrat tona janë me viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm terrorist në Ankara,” tha Kirby, duke shtuar se autoritetet turke po e hetojnë ngjarjen si një sulm të mundshëm terrorist.
“Ne ende nuk e dimë motivin ose kush qëndron saktësisht pas këtij akti dhune, por e dënojmë fuqishëm këtë akt të neveritshëm,” përfundoi Kirby.
Presidenti rus Vladimir Putin, gjithashtu, reagoi lidhur me sulmin terrorist përpara një takimi të planifikuar me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Putin e dënoi aktin dhe shprehu ngushëllimet e tij për popullin turk. “I shpreh ngushëllimet e mia Turqisë për shkak të këtij sulmi terrorist,” deklaroi Putin.
Ndërsa ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ka dhënë detaje lidhur me sulmin terrorist të ndodhur në Ankara, ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën 22 të tjerë. Gjatë një deklarate për shtyp, Yerlikaya theksoi se autorët e sulmit mund të jenë pjesë e organizatës terroriste PKK, duke nënvizuar se hetimet janë ende në vazhdim.
Në fjalën e tij, ministri shtoi: “Nga të plagosurit, shtatë prej tyre janë pjesëtarë të forcave speciale. Jemi të bindur se ata do të shërohen dhe do të ribashkohen me familjet e tyre. Ky akt i tmerrshëm tregon edhe një herë fytyrën e vërtetë të terrorizmit dhe na forcon në luftën kundër kësaj plage.”
Autoritetet turke janë mobilizuar për të ndjekur gjurmët e autorëve dhe për të marrë masa shtesë sigurie. Terrorizmi ka qenë një nga sfidat kryesore për Turqinë, e cila ka përballuar sulme të ngjashme nga grupe të ndryshme gjatë viteve të fundit.
Autoritetet turke kanë ripërsëritur përkushtimin e tyre për të luftuar terrorizmin me vendosmëri dhe për të mbrojtur qytetarët e vendit nga kërcënimet.