...
“E kisha llogaritur se do të kishte disa probleme, por protokolli i bashkëpunimit Itali-Shqipëri për emigracionin do të funksionojë”. Kështu u shpreh kryeministrja italiane Giorgia Meloni në 80-vjetorin e themelimit të gazetës konservatore të Romës “Il Tempo”.
Duke iu referuar qendrave për emigrantët që vendi i saj ka ngritur në veri të Shqipërisë, meloni theksoi se nuk do të lejojë që ky model të çmontohet, sepse disa politikanë nuk janë dakord me të.
“Nuk do të lejoj që modeli që kemi krijuar, me respekt të plotë të ligjit italian dhe atij europian, të çmontohet, sepse disa politikanë nuk janë dakord me të dhe me mënyrën se si duhet të menaxhojmë emigracionin. Jam e vendosur të eci përpara”, tha Meloni.
Sipas saj “vendimi që ktheu emigrantët nga Shqipëria është i paarsyeshëm dhe i diktuar nga një vizion shumë i ndryshëm nga ai i qeverisë”.
“Gjyqtarët i referohen një vendimi të Gjykatës Evropiane, por mosnjohja e atyre emigrantëve të parregullt filloi shumë më herët. Një nga gjyqtarët kishte deklaruar publikisht kundërshtimin e tij ndaj protokollit Itali – Shqipëri. Nëse ata emigrantë do të kishin qëndruar në Lampedusa apo do të ishin dërguar në ndonjë qendër në Itali, do të kishte të njëjtin rezultat. Protokolli Itali – Shqipëri mund të ndryshojë objektivisht menaxhimin e flukseve”, vijoi kryeministrja italiane.
E pyetur nëse ndërtimi i kampeve në Shqipëri ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, Meloni iu përgjigj shkurt: “Për ata që donin superbonus-in, jo”.