... Nami.al

Rezulton fals alarmi për bombë, paralajmërimi iu dërgua ambasadës ukrainase me e-mail

Ka rezultuar fals alarmi për bombë pranë Ambasadës së Ukrainës në Tiranë.

Ekipet e Antiterrorit dhe forcat operacionale nuk gjetën asnjë objekt të dyshimtë gjatë kontrollit në zonën që qëndroi e bllokuar për disa minuta.

Mësohet se një e-mail i është dërguar përmes postës elektronike stafit të ambasadës Ukrainase në Tiranë, ku paralajmëroheshin për bombën.

Në këtë zonë që ndodhet në “zemër” të Tiranës, janë vendosur disa diplomaci të huaja si dhe institucione të larta të vendit.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 14.10.2024, në orën 15:38, është marrë njoftim se në adresën e Ambasadës Ukrainase ka ardhur e-mail në të cilin thuhej se në ambientet e ambasadës ishte vendosur bombë.

Shërbimet e Policisë dhe Njësia Antieksploziv kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë evakuimin e stafit të ambasadës dhe pas kryerjes së kontrollit dhe verifikimeve përkatëse, ka rezultuar se njoftimi ishte i rremë.

Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit dhe strukturat e specializuara për Hetimin e Krimit Kibernetik në bashkëpunim me stafin e Ambasadës po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës për rastin.