...
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e shkaktuar në Kuvend në seancën e sotme plenare, ku deputetët e PD i vunë flakën karrigeve, pasi i nxorën në ambientet e jashtme të Parlamentit.
Teksa ishte duke folur në takimin për “Deputeti që duam”, ai tha: Duke ardhur këtu më çoi dikush këtë fotografi… ky është një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur për t’u ulur dhe përfaqësuar ata që i çojnë atje, në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate.
Më tej Rama tha se “politika ka fuqi si të mbjellë ashtu edhe të shfarosë”.
“Kur shikon të shkuarën e këtyre viteve, ka disa gjëra që janë aty dhe flasin vetë. Ne kemi qenë një vend me 3300 euro për frymë, sot jem i më 9300 euro për frymë. Ky trefishim nuk është diçka që ne mund të themi çohuni shqiptarë dhe duartrokisni, por flet për një rrugë transformimi. Kur ne nisëm detyrën, kishim të gjitha vendet e rajonit, veç Kosovës, para nesh në të ardhura për frymë. Sot ne kemi para nesh vetëm Malin e Zi dhe Serbinë, që kanë 11600, 11300 euro për frymë.
156 euro ishte paga minimale kur morëm detyrën, sot është 400… Këto nuk na duhen që ne të ulemi dhe shijojmë pamjen e Shqipërisë që kemi ndërtuar, por që të kuptojmë që sa shumë kohë është humbur më parë, dhe sa shumë më tepër mund të bëjmë ne.
Sot kemi një eksperiencë që nuk e kishim, një pozicion të vendit që nuk e kishim, qoftë pozicion të brendshëm ekonomik që jemi në kushte që të bëjmë realisht një ekonomi gjithëpërfshirëse. Për pensionistët kemi një detyrim të bëjmë një hap të rëndësishëm”, u shpreh gjatë fjalës së tij Rama.