...
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike në mbledhjen e zhvilluar pasditen e sotme në selinë blu vendosi të shtyjë me 24 orë datën e protestës kombëtare, e cila u thirr vetëm pak orë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të dënuar me 1 vit burg deputetin Ervin Salianji.
Strategjia e demokratëve për tubimin që do të nisë në orën 18:00 të datës 7 tetor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk është ai i një proteste vetëm me fjalime, si ato që kemi parë në protestat e mëparshme kombëtare që janë thirrur në kryeqytet.
Sa i takon modelit që do të ndiqet në këtë protestë, burime bëjnë me dije se do të jetë një protestë e zhvilluar në disa lokacione të ndryshme të Tiranës.
Sakaq, zbardhen edhe disa nga diskutimet që janë zhvilluar me dyer të mbyllura në mbledhje. Mësohet se porosia e Flamur Nokës për të gjithë kryetarët e degëve është që të mobilizojnë mbështetësit e PD duke zbritur në terren, në takime të përditshme, kryesisht në Tiranë, e duke shmangur komunikimet telefonike.
Ndërkohë, kreu i Këshillit Kombëtar Edi Paloka ka sqaruar arsyet që çuan në zhvendosjen me 24 orë të datës së protestës.
DISKUTIMET:
Edi Paloka (Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD): Protesta ishte menduar të dielën në datë 6 tetor. Do të bëhet bllokimi akseve në të gjithë Shqipërinë. U vendos që data e nisjes së aksionit opozitar të jetë 7 Tetori. Protesta do të zhvillohet në Tiranë, të hënën ora 18.00. Do nisim nga Kryeministria që është simbolika e protestës, pastaj do të lëvizim në të gjithë Tiranën. Detajet do t’i keni në momentin e duhur. Protesta jo siç i kemi bërë deri tani dhe fjalime nuk do të ketë.
Flamur Noka (Sekretar i Përgjithshëm i PD): Ideja e parë ka qenë bllokim aksesh ndaj ishte data 6 si fillim. Të gjithë kryetarët e degëve të angazhohen për pjesëmarrje. Takohuni me anëtarët dhe harroni komunikimet me grupet në telefon. Ne jemi në luftë.
Nuk kemi luksin të njoftohemi dhe të angazhohemi përmes kësaj mënyre. Nuk është serioze. Të respektojmë këdo që do të ftojmë në protestë. T’i takojmë. Degët e Tiranës duhet të jenë në terren çdo ditë. Anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët në zona. Jemi në lufte , t’i përgjigjemi me disiplinë të hekurt. Nuk ka kthim pas. Të mos e mendojë kush. O fitore, o vetëm fitore.