... Nami.al

Caktohet data / Kryesia e PD-së vendos për protesta kombëtare pas dënimit me burg të Salianjit

Partia Demokratike ka vendosur t’i rikthehet protestave, pas vendimit të gjykatës për dënimin e deputetit të saj, Ervin Salianji me një vit burg.

Burime bëjnë me dije se në Kryesinë e PD-së, është vendosur që protesta e parë kombëtare të mbahet në datën 6 tetor.

Deputetët demokratë njëzëri kanë propozuar mbajtjen e protestave në të gjithë vendin, ndërsa disa prej tyre, ndër ta edhe Flamur Noka, kanë qenë më radikalë në propozimet e tyre, duke kërkuar mosbindje civile dhe bllokim të institucioneve shtetërore.

Deputeti Agron Gjekmarkaj ka kërkuar që protesta të mbahet njëkohësisht edhe në Bruksel, përpara institucioneve të Bashkimit Europian.

“Ky ishte një akt tjetër agresioni ndaj opozitës, pas vendimit për të burgosur politikisht liderin e opozitës, pas vendimit për të hetuar kreun e Partisë së Lirisë, pas vendimit për të hetuar kreun e Partisë Republikane, Edi Rama me të gjitha këto vendime ka treguar se është i vendosur t’i shpallë luftë opozitës. PD ka vendosur që të përvijojë aksionin e saj data 6 do të jetë dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës. Ne nuk mund të rrimë duarkryq kur drejtësia e re vepron në shkelje të ligjeve të Kushtetutës, kur bëhet marionetë në duart e Edi Ramës dhe regjimit. Protesta është përshkallëzim, radikalizim, do të jemi në të gjitha akset dhe rrugët”, tha deputeti Flamur Noka.