... Nami.al

Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg, deputeti: Një nga gjyqtaret është kunata e Ballukut!

Gjykata e Apelit ka marrë vendimin për deputetin e PD, Ervin Salianji.

Apeli ka lënë në fuqi dënimin me 1 vit burg për ligjvënësin demokrat, i cili akuzohej për kallëzim të rremë në çështjen “Babalja”.

“Siç e ndoqët në seancë, gjykata kishte ardhur me vendim të parapërgatitur. Fatmir Xhafaj ka ndërtuar këtë proces, për të sjellë vendimmarrjen me vulë të njomë. Gjykata pranoi provën. Është njësoj sikur të të gjykojë një funksionar i PS-së. Një nga gjyqtaret është kunata e Belinda Ballukut. Një tjetër është që do të shkojë në GJL dhe për të shkuar të Gjykatën e Lartë unë vras njeri ka deklaruar. Ky është dënim politik, njësoj si agjitacioni e propaganda dikur. Kam bërë një betejë për shoqërinë”, u shpreh Salianji për mediat.

Salianji akuzohet për denoncimet ndaj qeverisë për lidhje me trafikantë dhe personazhe të krimit të organizuar.

Deputeti i PD bëri një seri denoncimesh madje dhe nga fushat me kanabis për lidhjet te ish-ministrit Tahiri me kanabizimin.

Më pas Partia Demokratike dhe Ervin Salianji pretenduan që lidhjet me krimin mbaheshin nga vëllai i ish-ministrit pasardhës, Fatmir Xhafaj.

Pas denoncimit të tij, opozita dhe Salianji publikuan rastin, për këtë u hap një hetim penal me kallëzimin e Agron Xhafajt ku Salianji akuzohet për shpifje.

Vlen të theksohet se gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që kanë pasur çështjen dhe kane dhënë vendimin me 1 vit burg në shkallë të parë janë shkarkuar nga organet e Vettingut.

Në seancën e sotme, në mbështetje të Salianjit, ishin një grup i konsiderueshëm deputetësh demokratë.