...
Kryesia e Partisë Demokratike është thirrur në një mbledhje urgjente pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të lënë në fuqi atë të Shkallës së Parë për dënimin me një vit burg të Ervin Salianjit lidhur me çështjen “Babale”.
Në nisje të mbledhjes, fjalën e ka mbajtur kryedemokrati Sali Berisha, i cili ka thënë se “dënimi i Salianjit ka qenë një ngjarje plotësisht e parashikuar, por e pandodhur që nga vitet më të zeza të diktaturës dhe deri më tani në Shqipëri”.
Berisha e ka cilësuar heqjen e lirisë së Salianjit një luftë të hapur dhe një “hakmarrje primitive që kryeministri Rama i ka shpallur PD-së, opozitarëve dhe mbarë qytetarëve”.
“Përshëndes të gjithë anëtarët dhe qytetarët që ndjekin këtë mbledhje të kryesisë së PD, të thirrur me urgjencë pas një ngjarje plotësisht të parashikuar, por të pandodhur që nga vitet më të zeza të diktaturës gjer sot ndonjëherë në Shqipëri. Sot, deputeti Ervin Salianji, me padinë e narkotrafikantit ndërkombëtar, Geron Xhafa prestanome i Fatmir dhe Edi Ramës, u dënua me një vit burg për guximin që ai tregoi, për detyrimin që ai përmbushi ndaj demokratëve, ndaj qytetarëve, ndaj zgjedhësve të tij, duke denoncuar një lidhje të tmerrshme kriminale, e cila kishte pasoja trafiqe të egra, zhdukje personash, vrasje të njërit prej klaneve më të fuqishme, klanit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Me këtë akt, të dashur qytetarë, Edi Rama shpalli luftë të hapur PD-së, shpalli luftë të hapur opozitarëve dhe mbarë qytetarëve.
Asnjë njeri i ndershëm nuk mund ta konsiderojë ndryshe dënimin e deputetit Ervin Salianji veçse një ndëshkim, një hakmarrje primitive, e verbër e klaneve më të egra mafioze, të cilat midis një prite diku në errësirë, zgjodhën narkoshtetin për t’i dhënë përgjigjen hakmarrëse që mendonin. Të dashur demokrate e demokratë, sot Geron Xhafa prestanome i Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës, arriti të dënojë deputetin guximtar Ervin Salianji. Pse? Sepse ai në ndërgjegjen e tij, në idealet e tij, zgjodhi të jetë përfaqësuesi juaj i vërtetë. Ai zgjodhi midis kokëuljes, midis indiferencës, midis moskokëçarjes, zgjodhi t’i thotë derrit, derr. T’i thotë kriminelit, kriminel. Pavarësisht se ai ishte vëllai i ministrit të brendshëm dhe byrazer i kryeministrit.
Pra, ky përfaqësues i juaji zgjodhi më të ndershmen ndaj jush. Zgjodhi më dinjitozen, më të guximshmen. Nuk pranoi t’i arkivojë, por doli në shesh, u tha shqiptarëve se Geron Xhafa drejton trafiqet nga Vlora, ndërkohë që është i dënuar në Itali dhe ka mburojën e vëllait të tij dhe sivëllait Edi Rama. Nuk shpifi, nuk mashtroi. Ai ishte i dënuar, ai vazhdonte drogën. Pra, sot Ervin Salianji është i dënuar se në emër tuaj, se për ju, ai guxoi t’i dalë ballë për ballë kreut të krimit në Shqipëri. Strategji që synon shndërrimin e opozitës në një opozitë pa vlerë. Sot u dënua Salianji, Rama sot ju përvesh kryetarit të grupit të PD sepse guxoi të rikthejë në skenë Olsin trafikant dhe sepse ai u përpoq për të njëjtin skenar. Secili që të denoncojë krimet e Edi Ramës do të ketë hakmarrjen e pamëshirë të tij. Rama ka shpalosur si alternativë për të marrë mandatin burgosjen e opozitës dhe drejtuesve të saj”, tha Berisha.