...
Skena të denja për filmat “Far West” të Hollywood-it janë regjistruar pesë muaj më parë në aksin rrugor Tiranë-Fushë Krujë dhe protagonist janë 3 efektivë të repartit “Shqiponja” në Policinë e Shtetit.
Ngjarja është zbardhuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas kallëzimit penal të bërë nga drejtuesi i një automjeti, i cili ka rrëfyer për hetuesit se është ndaluar nga tre efektivët e “Shqiponjave”, R. B., Elton Dokollari dhe Florian Zeneli, të cilët gjatë veprimeve policore kanë përdorur armën e shërbimit për të qëlluar në drejtim të makinës së tij.
“Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur nga hetimet e kryera pas kallëzimit penal të depozituar nga një shtetas, nga ku rezultoi se në datë 8 mars 2024, gjatë kryerjes së shërbimit në segmentin rrugor Tiranë–Fushë Krujë, këta punonjës policie kanë ndaluar një automjet dhe gjatë veprimeve policore, në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të tij, duke vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në mjet”, sqaron AMP në njoftimin për mediat.
Po ashtu nënvizohet se krahas mosraportimit të ngjarjes tek strukturat eprore, tre efektivët e “Shqiponjave” kanë tentuar të fshehin provat dhe faktet.
AMP bën me dije se për ngjarjen e rëndë ka shpallur në kërkim një inspektorin Rezart Berberi, për të cilin Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, raporton A2. Po ashtu janë ekzekutuar vendimet e kësaj gjykate për dy kolegët e inespektorit 34-vjeçar të cilët kanë bashkëpunuar me të.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar vendimin e kësaj Gjykate, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal për punonjësit e policisë, efektivë të Seksionit të Forcës së Posacme “Shqiponja”:
-Inspektor R.B., 34 vjeç, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Falsifikim dokumentash” dhe “Kallëzim i rremë”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij;
-Inspektor E.D., 46 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-Inspektor F.Z., 37 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës’”.