... Nami.al

SPAK mbyll hetimet për dosjen “Partizani”, Berisha dhe Malltezi në SPAK

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për dosjen “Partizani”.

Të pandehurit janë ftuar të paraqiten në SPAK për të firmosur mbylljen e hetimeve të mërkurën e kësaj jave. Mbrojtja ligjore e Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës do paraqiten ditën e mërkurë.

Së bashku me mbylljen e hetimeve, të pandehurit do të marrin edhe aktet përfundimtare në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj tyre nga struktura e posaçme.

Në 11 shtator, SPAK i komunikoi Berishës akuzën “korrupsion pasiv”, ndërsa dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi “korrupsion pasiv dhe pastrim parash”.

Një ditë me vonë, në dyert e SPAK u thirr edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja si dhe financieres Andia Pustina.

Afati i fundit i SPAK për mbylljen e hetimeve për privatizimin e ish klubit sportiv Partizani ishte data 2 tetor. Hetimet për këtë çështje nisën katër vite më parë, pas kallëzimit të depozituar nga Taulant Balla.