...
Një shkëmbim zjarri ka ndodhur pak pas orës 18:00 në sheshin “Omonia” në kryqëzimin e rrugëve “Kretis” dhe “Akominatou” në Athinë.
I plagosuri është identifikuar shqiptari Florian Bajraktari, 36-vjeç nga Tirana. Në vitin 2006, ai është arrestuar për vrasje në bashkëpunim, ngjarje e ndodhur ne Lasithiou të Greqisë. Ai është liruar me kusht në vitin 2018 dhe në vitin 2020 është arrestuar ne Kalithea të Athinës për lojra fati.
Fillimisht pati konfuzion mbi ngjarjen, pasi policia nuk gjeti asnjë person të plagosur në vendin ku ishte raportuar një përplasje me armë.
Por pak minuta pas ngjarjes, një person me një plagë depërtuese në shpatull nga një plumb ka shkuar në Spitalin “Laiko” ku po i nënshtrohet një operacioni.
Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se nga një fuoristradë është hapur zjarr ndaj shqiptarit, i cili ndodhej në një lokal në vendin e ngjarjes. Duke nisur nga numri i gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, paraprakisht dyshohet për një atentat ndaj shqiptarit.
Autoritetet policore që kanë shkuar në vendngjarje kanë grumbulluar 7 gëzhoja, të cilat i kanë dërguar për ekspertizë.