... Nami.al

“Vatikan” për bektashinjtë në Tiranë, Baba Mondi: Nuk kemi kërkuar shtet mysliman, nisma është vetëm e Ramës

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka reaguar në lidhje me lajmin e krijimit të një mikroshteti si ai i Vatikanit në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama tha në “New York Times” se mikro-shteti do jetë rreth 11 hektarë dhe do të ketë pasaportën e tij, por Baba Mondi thotë se nisma është plotësisht e ideuar dhe propozuar nga shefi i qeverisë shqiptare dhe se bektashinjtë nuk kanë kërkuar krijimin e një shteti mysliman.

“Lajmi se Shqipëria mund t’i japë sovranitet Urdhrit Bektashi për pavarësi territorial na ka befasuar. Ne nuk e kemi kërkuar dhe nuk pretendojmë të krijojmë një shtet mysliman. Nisma është tërësisht e kryeministrit Rama. Nuk jemi pyetur, mbi ato që Kryeministri ka deklaruar në ‘New York Times’”, tha Baba Mondi për A2CNN.

Sakaq, gazeta amerikane shkruante se bëhet fjalë për një enklavë sipas modelit të Vatikanit, por katër herë më e vogël, çka do të thotë se Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi do jetë shteti më i vogël në botë.

Ndërkohë mësohet se një ekip ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë, po hartojnë legjislacionin përkatës.

“Deri më tani, Edi Rama, një katolik jopraktikant, tha se vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt e dinë për planin dhe aleatët e NATO-s si Shtetet e Bashkuara nuk janë konsultuar”, thekson gazeta.