...
Një “breshëri” raketash u lëshuan në veri të Izraelit nga Libani gjatë mbrëmjes të së shtunës, sipas ushtrisë izraelite. Shënjestër e Hezbollahut, sipas IDF ishin objekte industriale dhe ushtarake.
Shumica e 105 raketave u kapën nga sistemi i mbrojtjes edhe pse sipas raportimeve, disa shtëpi u goditën.
Sirenat e sulmeve ajrore ranë gjatë gjithë natës.
Hezbollahu nga ana tjetër tha se kishte lëshuar dhjetëra raketa drejt objektivave në Izraelin verior “si hakmarrje për sulmet e javës së kaluar.”
Edhe Izraeli i ka vijuar sulmet në Liban pas sulmit ajror të së premtes në Bejrut, për të cilin IDF tha se vrau mbi dhjetë komandantë të lartë të Hezbollahut.
Kurse sipas Libanit, të vrarë mbetën 37 persona, përfshirë këtu edhe tre fëmijë.
Në fillim të kësaj jave, 39 persona mbetën të vrarë dhe mijëra u plagosën pasi disa pager-a, dhe radiomarrës të përdorur nga Hezbollahu, milicia dhe grupi politik i mbështetur nga Irani, shpërthyen dy ditë në të gjithë Libanin.
Të enjten, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah fajësoi Izraelin për sulmet, duke shtuar se ky i fundit i kishte kaluar “të gjitha vijat e kuqe” dhe u zotua për ndëshkim.