...
Biznesmeni dhe ish-banori i Big Brother, Arbër Çepani ka bërë një reagim prekës pas ndarjes nga jeta të kunatit të tij, ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani.
“Pse na e bëre o Gert… Pse na e bëre”, ka shkruar Arbër Çepani në një postim në InstaStory.
Gerti Bogdani ishte i martuar me motrën e Arbër Çepanit, aktivisten Edlira Çepani.
Çifti janë prindër të dy fëmijëve, Ajra dhe Reinarti. Ish-deputeti i PD-së u nda papritur nga jeta mesditën e sotme (18 shtator) dhe dyshohet për shkak të një arresti kardiak.
Ish-deputeti i PD-së po pinte kafe me miqtë e tij në hotel “Rogner” në Tiranë kur ka shfaqur probleme shëndetësore. Ai u ka thënë se kishte vështirësi me frymëmarrjen dhe është larguar për në tualet.
Por, sipas burimeve për Panorama.al, kur Gerti Bogdani nuk është kthyer në tavolinë, miqtë e tij janë shqetësuar dhe kanë shkuar në tualet. Ata kanë hapur derën me forcë dhe e kanë gjetur të shtrirë në tokë pa ndjenja.
Më pas, është njoftuar ambulanca dhe ish-deputeti u dërgua në spitalin e QSUT ku mori ndihmën mjekësore, por nuk arriti që të mbijetojë.