...
Sot, 17 shtator, eurodeputeti i Demokracisë së Re, Fredi Beleri, i është drejtuar për herë të parë Parlamentit Europian në Strasburg.
Nga vendi i tij në PE, Beleri ka theksuar ndër të tjera se në Ballkanin Perëndimor respekti ndaj Evropës duhet të jetë e vetmja rrugë drejt anëtarësimit të shteteve kandidate.
“Çdo tërheqje do të nënkuptonte automatikisht humbjen e vlerave tona të përbashkëta”, tha Beleri ndër të tjera, teksa më tej u ndal dhe te Shqipëria për të cilën tha se situata aktuale këtu në vendin tonë tregon qartë sipas tij se si reformat mund të kthehen lehtësisht në “bomba totalitare”, mbi themelet e një shteti demokratik.
Ndër të tjera ish-kryebashkiaku i Himarës përmendi dhe qëndrimin e tij në qeli të cilën e cilësoi si politik si dhe arrestin në shtëpi të ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Fredi Beleri ne PE
“Qeveria shqiptare e ka bërë shpesh krahun e saj Gjyqësor, gjë që e bëri jo vetëm në rastin tim, por edhe kreut të opozitës zyrtare”, tha Beleri ndër të tjera.
Pjesë nga fjala e Belerit:
Të dashur kolegë
Me emocion të madh i drejtohem për herë të parë seancën plenare të Parlamentit Evropian. Një institucion, vendosmëria e të cilit rezultoi e aftë për të më zhbllokuar nga qelia shqiptare, ku qëndrova për 16 muaj.
Sot, jam këtu si një eurodeputet i pakicës greke që vjen nga një shtet anëtar i Bashkimit Europian, por kam lindur në një vend që aspiron t’i bashkohet familjes evropiane. Fatkeqësisht, ky vend po largohet vazhdimit nga Evropa, në vend që t’i afrohet asaj.
Situata aktuale në Shqipëri tregon se si reformat mund të kthehen lehtësisht në “bomba totalitare” mbi themelet e një shteti demokratik.
Kjo u bë edhe me reformën në drejtësi të financuar, edhe nga burimet evropiane. Qeveria shqiptare e ka bërë shpesh krahun e saj Gjyqësor, gjë që e bëri jo vetëm në rastin tim, por edhe kreut të opozitës zyrtare.
Dhe Bashkimi ynë tani përballet me një oksimoron. Sa më e sigurt të konsiderohet mbështetja e saj për lidershipin e zotit Rama, aq më e fortë bëhet ndjenja antievropiane tek qytetarët e vendit.
Në Ballkanin Perëndimor, respekti ndaj Evropës duhet të jetë mënyra e vetme për anëtarësimin e shteteve kandidate. Çdo tërheqje do të nënkuptonte automatikisht humbjen e vlerave tona të përbashkëta.